Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën ka zhvilluar takim me ambasadorët e QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, me të cilët ka diskutuar për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të veturave.
Në këtë takim sipas komunikatës u diskutua edhe rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit, dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Hapjen e saj, për herët të parë në Tëvë 1 e kishte paralajmëruar zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Zyrtarë qeveritarë kishin paralajmëruar hapjen e urës mbi lumin Ibër gjatë këtij viti, paralajmërim ky që kishte ngjallë reagim të faktorit ndërkombëtar duke kërkuar që kjo të bëhet me koordimin./