E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live from Tirana” ishte nutricionistja Hyrida Basha për të folur rreth ushqimeve që ne duhet të konsumojmë në stinën e verës.
Të gjithë e dimë se duhet të evitojmë diellin dhe të qëndrojmë të hidratuar gjatë stinës së verës, por ka shumë që neglizhojnë mënyrën si ushqehen dhe kjo sjell probleme që ata nuk i parashikojnë dot, probleme të cilat mund të ishin evituar me njohuritë e sakta.
Çfarë mund të konsumojmë që të qëndrojmë më të freskët?
Gjithmonë bëhet pak më e vështirë në verë dhe nxehtësia ndikon në mosdëshirën për të konsumuar ushqim. Por, trupi ka nevojë të hidratohet dhe të marrë vlerat ushqimore të nevojshme. Këshilloj produkte me sasi të madhe uji dhe shumë fibra. Fruta dhe perime të shumta i përmbajnë ato, si kastraveci, sallata jeshile dhe domatja. Të gjitha janë të pasura me fibra dhe ujë. Gjithashtu, është e rëndësishme të përdorim ujin natyral, por mund të përdorim pak dhallë si një alternative popullore ose xhinxher. Rekomandohet dhe çaj i ftohtë, specifikisht ai kombucha, një zgjedhje shumë e mirë për stinën e verës. Supa është gjithmonë e këshillueshme, por të mos konsumohet e ftohtë. Ka shumë e shumë mënyra të tjera, mjafton thjesht të përdorim imagjinatën kur gatuajmë.
A duhet të konsumohet uji i ftohtë apo ambienti?
Uji gjithmonë rekomandohet të jetë afër temperaturës së ambientit, por duke pasur parasysh kohën, nuk e rekomandojmë aq shumë sa gjithmonë. Uji i frigoriferit me akull nuk rekomandohet, por mund të përdoret ai i ftohtë që është shumë i aftë të ulë temperaturën e trupit. Njerëz me probleme stomaku ose zemre, për shembull, bëjnë mirë ta evitojnë. Uji i ambientit është gjithmonë më i mirë pasi ndihmon në tretje, nuk shkakton shok termik, trupi e përthith më lehtë dhe është i përshtatshëm për të gjitha grupmoshat. Ekstremet nuk janë të dëshirueshme, duhet gjetur një temperaturë e mesme.
Cilat ushqime nuk duhet të konsumojmë?
Në këtë aspekt, vera nuk është më ndryshe sesa stinët e tjera. Rrini larg ushqimeve të shpejta si fast food, pasi ato janë të pasura me yndyrna dhe elemente jo të shëndetshme të cilat rrisin temperaturën e trupit, gjë që i kërkon atij të harxhojë më shumë energji. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni më keq. Përpiquni të rralloni kafen pasi ka të njëjtin efekt, si dhe çajin e gjelbër ose të zi. Sheqeri industrial asnjëherë nuk rekomandohet, sidomos në verë i cili rrit menjëherë temperaturën e trupit. Së fundmi, gjithmonë hidratohuni. Mund ta masni nivelin e hidratimit duke parë ngjyrën e urinës. Nëse është kafe, atëherë do të thotë se trupi nuk është hidratuar ashtu siç duhet. Nga ana tjetër, një ngjyrë transparente do të thotë se jeni aty ku duhet.
Çfarë ndihmon njerëzit që vuajnë nga sëmundje zemre ose asmatike në verë?
Qëndroni të hidratuar, por nëse nuk funksionon kjo, atëherë ka një problem më të gjerë. Gjithmonë varet nga njeriu dhe historiku që ai ka nga ana e konsumimit të ushqimeve ose substancave të tjera. Një duhanxhi, për shembull, do ta ketë më të vështirë të qëndrojë i hidratuar, kështu që duhet të pijë më shumë ujë. Për këta njerëz sugjerohet përdorimi i erëzave si mente, shumë të pasura me minerale pasi rriten thellë në tokë.
A duhet të kemi kujdes në konsumimin e frutave?
Sigurisht. Ka specialistë që shfaqen në televizione dhe japin këshilla nga më të ndryshme, si për shembull vetëm ato me fruta dhe perime. Për frutat, gjithmonë është e rekomanduar një sasi prej 400-500 g në ditë, konsumi i tyre i shpërndarë gjatë ditës në mënyrë graduale. Edhe nëse dikush vuan nga një sëmundje si diabeti, nuk do të thotë se nuk mund t’i konsumojë fare ato. Çfarë eliminohen janë produkte si duhani, ato të procesuara, të skuqura ose të përpunuara.