RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Rrjeti i “ka’mpeve të to’rturës” në Iz’rael

rrjeti-i-“ka’mpeve-te-to’rtures”-ne-iz’rael

Një organizatë izraelite e të drejtave të njeriut ka hetuar dhe ka gjetur se kushtet brenda burgjeve izraelite ku mbahen të burgosurit palestinezë janë të tmerrshme. Në serinë e fundit të raporteve të “B’tselemit” përfshihen dëshmitë e 55 të burgosurve palestinezë, duke i përfshirë edhe raportet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmban pretendime tronditëse për abuzim ndaj të burgosurve palestinezë. Por, siç duket, palestinezët nuk janë të vetmit që po u nënshtrohen torturave në sistemin e burgjeve

Organizata izraelite e të drejtave të njeriut “B’tselem” në raportin me titull “Mirë se vini në ferr!”, ka thënë se kushtet brenda burgjeve izraelite ku mbahen të burgosurit palestinezë janë të barabarta me torturë.
Raporti i kësaj organizate përfshin dëshmitë e 55 të burgosurve palestinezë të sapoliruar, të cilat tregojnë për kushtet e përkeqësuara brenda burgjeve që nga fillimi i luftës në Gazë para 10 muajve.
Seria e fundit të raporteve i përfshin edhe ato të javës së kaluar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përmban pretendime tronditëse për abuzim ndaj të burgosurve palestinezë.

Sipas “B’tselem”, dëshmitë që kanë mbledhur studiuesit janë jashtëzakonisht të qëndrueshme.

“Të gjithë ata në mënyrë të përsëritur na e kanë thënë të njëjtën gjë”, ka thënë Yuli Novak, drejtore ekzekutive e “B’tselemit”. “Abuzim të vazhdueshëm, dhunë ditore, dhunë fizike dhe mentale, poshtërim, mungesë të gjumit, njerëzit janë lënë të vdesin nga uria”.

Përfundimi i Novakut është i zymtë.

“I tërë sistemi izraelit i burgjeve, sa u përket palestinezëve, është kthyer në një rrjet të kampeve të torturës”.

“Burgje të stërmbushura dhe të ndyra”

Që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, nga i cili janë vrarë rreth 1200 izraelitë dhe të huaj, numri i të burgosurve palestinezë është dyfishuar në rreth 10 mijë.

Burgjet izraelite – disa të udhëhequra nga ushtria e të tjerat nga shërbimet e burgut të vendit – janë stërmbushur.

Burgjet janë të mbushura me të burgosur, ndonjëherë me dhjetëra ose më shumë të burgosur duke ndarë të njëjtën qeli, të cilat janë të dizajnuara për të akomoduar rreth 6 persona.

Raporti i “B’tselemit” përshkruan qelitë e stërmbushura dhe të ndyra, ku disa të burgosur janë të detyruar të flenë në tokë, ndonjëherë pa dyshek ose batanije.

Disa të burgosur janë kapur menjëherë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Të tjerët janë arrestuar në Gazë gjatë pushtimit izraelit, janë arrestuar në Izrael ose në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Shumë janë liruar më vonë pa akuza.

Firas Hassani veçse ka qenë në burg në tetor, duke u mbajtur në “arrest administrativ”, masë e marrë – kryesisht e aplikuar te palestinezët – përmes së cilës të dyshuarit mund të mbahen në burg për një kohë të caktuar, pa akuza.

Izraeli ka thënë se përdorimi i këtij ligji është i nevojshëm dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Ligji i lejon ushtrisë të burgosë njerëz për 45 ditë pa urdhërarrest.

Firas ka thënë se ai e ka parë me sytë e tij se si kushtet janë përkeqësuar pas sulmit të 7 tetorit.

“Jeta ndryshoi komplet”, ka thënë ai në Tuqu’, fshat në fshatin e Bregut Perëndimor, në jug të Betlehemit. “Atë që ndodhi e quaj tsunami”.

Hassani është burgosur dhe është liruar nga burgu që nga fillimi i viteve ’90, dy herë i akuzuar për anëtarësim në Xhihadin palestinez Islamik, grup i armatosur i cilësuar si organizatë terroriste nga Izraeli dhe shumica e vendeve të Perëndimit.

Ai nuk e ka mbajtur sekret përfshirjen e tij në të kaluarën, duke thënë se ka qenë “aktiv”.

I familjarizuar me jetën rigoroze në burg, ai ka thënë se asgjë nuk e ka përgatitur për atë që ka ndodhur kur oficerët janë futur në qelinë e tij pas 7 tetorit.

“Ne jemi rrahur rëndë nga 20 oficerë, burra të maskuar me shkopinj dhe armë zjarri”, ka thënë ai. “Na i kanë lidhur duart prapa shpinës, na i kanë mbuluar sytë dhe na kanë rrahur rëndë. Më dilte gjak nga fytyra. Kanë vazhduar të na rrahin për 50 minuta. I pashë nga poshtë shamisë së syve. Na incizonin duke na rrahur”.

Hassani në fund është liruar, pa akuza, në prill, e deri në atë kohë kishte humbur rreth 20 kilogramë.

Në videon e filmuar në ditën e lirimit të tij, Hassani është dukur si shumë i dobët.

“Kam kaluar 13 vjet në burg në të kaluarën”, u ka thënë ai studiuesve të “B’tselemit” më vonë atë muaj. “Dhe kurrë nuk kam përjetuar një gjë të tillë”.

“Nuk ka ligj atje”

Por nuk janë vetëm palestinezët nga Gaza dhe Bregu Perëndimor që kanë folur për abuzimet në burgjet e Izraelit.

Qytetarë izraelitë, sikurse Sari Khourieh, një avokat izraelito-arab nga Haifa, ka thënë se e njëjta gjë u ka ndodhur edhe atyre.

Khourieh është mbajtur në burgun “Megiddo” në Izraelin verior për 10 ditë nëntorin e kaluar. Policia ka thënë se dy nga postimet e tij në Facebook i kanë lavdëruar veprat e Hamasit – akuzë që shpejt është hedhur poshtë.

Por eksperienca e shkurtër në burg – e para e tij – gati e ka shkatërruar.

“Atyre u humbi mendja”, ka thënë ai për ngjarjet për të cilat ka dëshmuar në “Megiddo”. “Nuk ka ligj atje. Nuk ka pasur rregulla brenda”.

Khouriehi ka thënë se ka shpëtuar nga abuzimet më të këqija. Por, ai ka thënë se është tronditur nga trajtimi i të burgosurve të tjerë.

“Ata i godisnin rëndë të burgosurit pa arsye”, ka thënë ai. “Ata bërtisnin, burrat, ‘ne nuk kemi bërë asgjë. Nuk keni nevojë të na godisni’”.

Duke folur me të dënuarit e tjerë, ai shpejt ka mësuar se ajo që po shihte nuk është normale.

“Nuk ka pasur trajtim të mirë edhe para 7 tetorit, më kanë thënë, por pas sulmit gjithçka ishte ndryshe”.

Gjatë një kohe të shkurtër në një zonë të qelive të izoluara, të njohura nga të burgosurit si “Tora Bora” (referencë e rrjetit të shpellave të “Al-Qaedas” në Afganistan), Khouriehi ka thënë se ka dëgjuar një të burgosur të rrahur duke u lutur për ndihmë mjekësore nga një qeli ngjitur.

Sipas Khouriehit, doktorët kanë provuar ta rikthejnë në jetë, por ai ka vdekur pas pak kohe.

Sipas raportit të javës së kaluar nga OKB-ja, “njoftimet nga IPS-ja (Shërbimi Izraelit i Burgut) dhe organizatat e të burgosurve tregojnë se 17 palestinezë kanë vdekur nën mbajtjen e IPS-së mes 7 tetorit dhe 15 majit”.

Ndërkohë avokatët ushtarakë izraelitë kanë thënë më 26 maj se janë duke e hetuar vdekjen e 35 të burgosurve nga Gaza që po mbaheshin nga ushtria izraelite.

Disa muaj pas lirimit të Khouriehut – përsëri, pa akuza – avokati akoma është duke luftuar për ta kuptuar atë që e ka parë në “Megiddo”.

“Jam izraelit… Jam avokat”, ka thënë ai. “Kam parë botën jashtë burgut. Tani jam brenda. Këtu shoh një botë tjetër”.

Besimi i tij në shtetësinë dhe sundimin e ligjit, ka thënë ai, është shkatërruar.

“Është shkatërruar pas kësaj eksperience”.

Mohimi i akuzave

Pretendimet e keqtrajtimit të përhapur të të burgosurve palestinezë u janë dërguar autoriteteve të përfshira.

Ushtria ka thënë se “i mohon akuzat e tilla të abuzimit sistematik të të burgosurve”.

“Ankesat konkrete në lidhje me sjelljet e pahijshme apo kushtet e papërshtatshme të burgut u dërgohen trupave kompetentë në IDF dhe trajtohen në përputhje me rrethanat”, thuhet në një përgjigje të ushtrisë.

Shërbimi i burgut ka thënë se “nuk jemi në dijeni për pretendimet e përshkruara dhe me sa dimë ne ngjarjet e tilla nuk kanë ndodhur”.

Që nga sulmi i 7 tetorit, Izraeli ka refuzuar t’i japë qasje Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) te të burgosurit palestinezë, ashtu siç kërkon e drejta ndërkombëtare.

Nuk është dhënë ndonjë shpjegim për këtë refuzim, por qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu shpesh ka shprehur zhgënjim për dështimin e ICRC-së për të marrë qasje për t’i vizituar pengjet izraelite dhe të huaja që po mbahen në Gaza.

Shoqata për të Drejtat Civile në Izrael (ACRI) e ka akuzuar qeverinë se “është duke e sfiduar me vetëdije të drejtën ndërkombëtare”.

Ushtria izraelite e ka pranuar konvertimin e tri objekteve ushtarake në kampe paraburgimi për të burgosurit palestinezë që nga sulmi i Hamasit në Izrael, ku sipas autoriteteve, janë vrarë rreth 1.200 njerëz dhe janë marrë peng 250 të tjerë. Këto objekte janë “Sde Teimani” në shkretëtirën Negev dhe bazat ushtarake “Anatot” dhe “Ofer” në Bregun Perëndimor.

Javën e kaluar, trajtimi i të burgosurve palestinezë ka nxitur një përplasje të furishme publike, ku demonstruesit e ekstremit të djathtë – duke përfshirë anëtarë të parlamentit të Izraelit – me dhunë janë përpjekur ta parandalojnë arrestimin e ushtarëve të akuzuar për abuzim seksual ndaj të burgosurve nga Gaza, në bazën ushtarake “Sde Teiman”.

Disa nga protestuesit kanë qenë ndjekës të ministrit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, që është përgjegjës i përgjithshëm për burgjet.

Ben Gviri është mburrur shpesh se nën mbikëqyrjen e tij, kushtet për të burgosurit palestinezë janë përkeqësuar ndjeshëm.

“Jam i lumtur që gjatë kohës sime kemi ndryshuar të gjitha kushtet”, u ka thënë ai anëtarëve të parlamentit të Izraelit, Knessetit, gjatë një sesioni të zhurmshëm në korrik.

Për “B’Tselem”, Ben Gviri ka përgjegjësi të madhe për abuzimet që janë duke u raportuar tani.

“Këto sisteme janë vendosur në duart e ministrit më të djathtë, më racist që ka pasur ndonjëherë Izraeli”, ka thënë Yuli Novak.

Për të, trajtimi i të burgosurve nga Izraeli, në fillim të ngjarjeve traumatike të 7 tetorit, është tregues i rrezikshëm i rënies së moralit të kombit.

“Trauma dhe ankthi ecin me ne çdo ditë”, ka thënë ajo. “Por të lejosh që kjo gjë të kthehet në diçka çnjerëzore, që nuk sheh njerëz, mendoj se është tragjike”.

 

Përktheu: Latra Gashi /koha.net

Related posts

FOTO/ Shkatërrohet konsullata iraniane në Siri, raportohet për 5 persona të vdekur! Ja kush qëndron pas sulmit ajror

admin

Shqipëri, mbahet Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës

admin6

Sveçla ha darkë me policët në veri, ushqimin ua dërgon një lokal nga Prishtina

admin