RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Osmani i quan raciste deklaratat e Stanos: Dialogu me Serbinë për Urën e Ibrit është kundërkushtetues

osmani-i-quan-raciste-deklaratat-e-stanos:-dialogu-me-serbine-per-uren-e-ibrit-eshte-kunderkushtetues

Më e pakta që Kosova mund të bëjë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që të koordinohet me të, ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka theksuar se thirrjet e SHBA-së për bashkërendim të qëndrimeve nuk janë kundër shtetit të Kosovës e as kundër hapjes së Urës së Ibrit.

Ka thënë se është praktikë e zakonshme e SHBA-së që të koordinohet me shtetet ku ka prezencë ushtarake të vetën, e se rasti i Kosovës nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme.

Osmani është shprehur se ura mbi lumin Ibër nuk do të duhej të mbyllej asnjëherë, se mbyllja e saj ka qenë komplet politike dhe rihapja e urës duhet të mbetet e përhershme. Por, rihapja e urës, ka shtuar më tej presidentja, nuk duhet të nxis shtim të forcave të KFOR-it.

“Në takimet e mija me SHBA, asnjëherë nuk është thënë që janë kundër hapjes së urës, përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel që kanë paraparë hapjen e urës. Por sikur për çdo temë të sigurisë kërkojnë dhe i luten Kosovës të ulemi bashkë dhe ta hartojmë bashkë planin e zbatimit që i merr parasysh vlerësimet e sigurisë, edhe të Kosovës edhe të aleatëve tanë. Në bazë të vlerësimeve të përbashkëta të zgjidhet momenti më i volitshëm në mënyrë që hapja e urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit, por i përhershëm. Ajo urë nuk është dashur të mbyllet kurrë, ajo urë është mbyllur për arsye komplet politike, patjetër duhet të hapet por të sigurohemi që kur të hapet të mbetet e hapur, e jo që kur të hapet e nxit një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Nuk kemi arsye të kemi konflikte me aleatët tanë”, ka thënë Osmani pas një vizite në Komunën e Vitisë.

E, ndërkohë për deklaratat e Bashkimit Evropian presidentja nuk ka dashur të deklarohet me arsyetimin se janë vazhdimisht raciste. Osmani ka kundërshtuar dhe ka thënë se askush nuk duhet të pranojë që çështja e hapjes së Urës së Ibrit të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.

Dialogu me Serbinë për Urën e Ibrit është kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit, ka deklaruar presidentja.

“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zëdhënësit të këtyre institucioneve janë mbi të gjitha raciste, kështu që nuk e besoj që meritojnë më shumë vëmendje. Unë jam deklaruar në raport me ato deklarata të tyre raciste gjatë tërë kohës. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikur ky zëdhënësi – më duket është nga Sllovakia – që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Nuk ka çka pyetet Serbia për një urë brenda territorit të Republikës së Kosovës. Dialog me Serbinë për këtë temë nuk do duhej të pranonte askush. Do ishte kundërkushtetues dhe kundër sovranitetit të Kosovës. Por, dialog me shpëtimtarët tanë ajo jo vetëm është e domosdoshme por është në interesin tonë”, ka potencuar ajo.

Osmani ka thënë se nuk duhet përdorur taktika të njëjta ndaj mikut, SHBA-së, si ndaj Serbisë.

“Ushtarë të tillë (amerikanë që shërbejnë në Kosovë) që janë të gatshëm ta japin jetën, njëkohësisht siç janë të gatshëm ta japin jetën ushtarët dhe policët tanë, e meritojnë që të ulemi dhe të flasim me ta. Është më e pakta. Lus qytetarët që lutjen e SHBA-së që të ulemi e të flasim me ta mos ta marrin si kundër Kosovës dhe aq më pak si kundër hapjes së urës, se kjo do të ishte një logjikë kundër vetë Kosovës. Nëse përdorim taktika të njëjta ndaj mikut si ndaj Serbisë, është e pafalshme për një popull që sot ekziston sepse miqtë nuk ia kthyen shpinën”, ka përfunduar ajo.

Nga Bashkimi Evropian është përsëritur disa herë se hapja e Urës së Ibrit duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke arsyetuar se kjo mund të jetë çështje që çon në rritje të tensioneve. Ditë më parë BE-ja ka thënë se planifikon që “statusin” e urës ta vendosë në agjendën e takimit të ardhshëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Bashkimi Evropian kishte lënë të hapur mundësinë që ndaj Kosovës të ashpërsoheshin masat që ende janë në fuqi, për shkak të urës.

Por, krahas BE-së, SHBA-ja e shtete të tjera të fuqishme evropiane e kishin quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë për hapjen e urës në këtë kohë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se hapja e urës në Mitrovicë nuk është kundër askujt, aq më pak partnerëve të Kosovës. /koha

Related posts

Osmani e Kurti nesër e presin në takim Cholletin

admin

VOA: Propozimi për armëpushim, Hamasi thotë se është në pritje të përgjigjes nga Izraeli

admin

Zgjedhjet në SHBA, rritet presioni ndaj Joe Biden për tu tërhequr nga gara

rezart morina