RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Plani për mësim tërëditor parasheh dyfishim të orëve të sportit, artit e muzikës

plani-per-mesim-tereditor-parasheh-dyfishim-te-oreve-te-sportit,-artit-e-muzikes

Nisur nga 2 shtatori, mësimi tërëditor pritet që të nisë së zbatuari në pesë shkolla të Prishtinës. Në një konferencë për media, drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se me këtë plan do të dyfishohet numri i orëve për lëndë të sportit, artit e muzikës. E, kryetari Përparim Rama ka theksuar se ky sistem i mësimit do të ndikojë drejtpërsëdrejti edhe në lirimin e komunikacionit në kryeqytet

Fillimi i vitit të ri shkollor do të jetë më ndryshe për nxënësit e kryeqytetit, pasi ata që i ndjekin mësimet në klasat nga e para në të pestën nëpër pesë shkolla të Prishtinës do t’i nënshtrohen mësimit tërëditor.
Ky sistem mësimor do të nisë së zbatuari nga 2 shtatori në shkollat “Faik Konica”, “Xhemajl Mustafa”, “Nazim Gafurri”, “Qamil Batalli” dhe “Shkolla e Gjelbër” në kryeqytet.

Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku-Sadriu, nëpërmjet një konference të përbashkët shtypi me kryetarin e Komunës, Përparim Rama, ka shpalosur të enjten projektin e funksionimit të mësimit tërëditor. Ajo ka bërë të ditur se mësimi do të nisë në orën 7:45 dhe se për nxënësit e klasave të para e të dyta do të përfundojë në 14:00 përderisa për ata të klasave nga e treta deri në të pestën, në orën 15:45.

Bazuar në këtë plan, shujtat ushqimore për mëngjese parashihen që të sigurohen nga prindërit, përderisa dreka do të ofrohet nga Kuzhina Qendrore ndërsa detyrat e shtëpisë do të kryhen në shkollë, me synim që të zgjidhet problemi me çantat e rënda.

“Modeli i një orari mësimor të një klase të 5-të. Mësimi fillon në 7:45 minuta. Hahet mëngjesi që sigurohet nga prindërit, pastaj, para pushimit të drekës, do të realizohet kurrikula nga mësuesja. Ngarkesën e detyrave të mos i sjellin në shtëpi. Realizimi i aktiviteteve shtesë bëhet pas drekës”, ka treguar Lushaku.

E për shkakun e organizimit të mësimit gjithëditor do të ketë lëvizje nxënësish nëpër shkolla. Filloristëve të shkollës “Qamil Batalli” do t’u bashkohen ata të shkollës “Emin Duraku” ndërsa nxënësit e nivelit të mesëm të ulët të të dy shkollave, procesin mësimor do ta zhvillojnë në shkollën “Emin Duraku”.
Nxënës të klasave nga e 6-ta deri në të 9-n të “Shkollës së Gjelbër” dhe të asaj “Nazim Gafurri” do të zhvendosen në objektin e gjimnazit “Eqrem Çabej” teksa gjimnazistët e saj do të barten te objekti i g
gjimnazit “Ahmet Gashi”.

Lëvizje do të ketë edhe te shkollat “Faik Konica” dhe “Xhemail Mustafa”, nxënësit e klasave të gjashta deri në të nëntën të të cilave do të vendosen në objektin e gjimnazit “Xhevdet Doda”, gjimnazistët e të cilës do t’u bashkohen bashkëmoshatarëve në Gjimnazin e Specializuar Matematikor.

Lushaku-Sadriu ka bërë të ditur se bazuar në planin e përpiluar numri i orëve për disa lëndë do të rritet, përfshirë dyfishimin e tyre të sportit, artit dhe muzikës.

“Me këtë mësim tërëditor synojmë të fusim aktivitete shtesë në sport. Të gjitha raportet, edhe ndërkombëtare e edhe vendore flasin për një mosrealizim të sportit në fëmijëri të hershme. Prandaj, kemi marrë njerëz të kualifikuar të sportit në mënyrë që të realizohen orët në mënyrë profesionale. Kemi shtuar edhe numrin e orëve edhe në art e muzikë”, ka thënë ajo.

E kryetari Rama ka theksuar se ky sistem i mësimit do të ndikojë drejtpërsëdrejti edhe në lirimin e komunikacionit në Prishtinë.

“Mësimi tërëditor do të ketë ndikim edhe në komunikacionin në kryeqytet, pasi do të ketë më pak lëvizje të prindërve. Do të ketë edhe më pak stres të prindërve, sepse nuk kanë nevojë prindërit që në mes të ditës të shkojnë dhe t’i dërgojnë fëmijët e tyre diku tjetër. Mund të fokusohen më shumë në punën e tyre dhe të mos e kenë mendjen se kur të shkojnë t’i marrin fëmijët e tyre në mes të ditës”, ka thënë ai.

Mësimi tërëditor në Prishtinë pati filluar edhe 9 vjet më parë, nën kohën e qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti. “Faik Konica”, “Afrim Gashi” dhe “Qamil Batalli” kanë qenë shkollat në të cilat pati filluar testimi i mësimit tërëditor, porse nuk pati gjetur zbatim.

Related posts

Ministria e Shëndetësisë apelon sërish tek qytetarët për të vluar ujin para përdorimit

admin

Gjykata e Lartë e Kolorados përjashton Trumpin nga zgjedhjet e vitit 2024

admin6

Ministrja izraelite paralajmëron: Do të kthehemi në Gaza

admin