RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Në mungesë të helikopterëve Kosovës po i duhet ndihma e KFOR-it për shuarje të zjarreve

ne-mungese-te-helikoptereve-kosoves-po-i-duhet-ndihma-e-kfor-it-per-shuarje-te-zjarreve

Ditëve të fundit është kërkuar disa herë intervenimi i KFOR-it, për shuarjen e zjarrit. Kosova ende nuk posedon ndonjë helikopter për të reaguar si në shuarjen e zjarreve, po as për raste të sigurisë e shëndetësisë.

Kjo po konsiderohet si domosdoshmëri nga njohës të çështjeve të emergjencave civile. Edhe nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent deklarojnë se Kosova ka nevojë të pajiset me disa helikopterë.

Në një përgjigje për KosovaPress është bërë e ditur se furnizimi me helikopterë ka qenë i paraparë për tri ministri, por ka mbetur draftprojekt për shkak të impaktit financiar.

Njohësi i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti thotë se ditëve të fundit ka qenë e vështirë të intervenohet në zona malore për shkak të mungesës së kapaciteteve.

“Është e vështirë të intervenohet në zona malore, sepse ka vende ku s’mund të arrijnë automjetet e zjarrfikësve. Pastaj është mjaft e vështirë qasja në ato vende, andaj gjithmonë ekziston nevoja që të ndihmohet nga ajri, nëpërmjet hedhjes së ujit nga ajri, përmes helikopterëve. Dhe kjo u pa në disa raste që pas kërkesës së institucioneve të Kosovës, KFOR-i me helikopterët e tyre, si reagues i tretë në Kosovë, ata përmes helikopterëve të tyre bënë lokalizimin dhe ndihmuan në shuarjen e zjarreve, edhe pse zjarrfikësit bënë një punë shumë të madhe, sidomos në Prevallë, ku me net të tëra u munduan që të lokalizojnë atë zjarr. Mirëpo për shkak të terrenit të vështirë nuk ishte e mundur që të lokalizohet plotësisht”, deklaron Ahmeti.

Ai e konsideron të domosdoshme nevojën që Kosova të ketë kapacitete të tilla ajrore.

“Fatkeqësisht shteti i Kosovës nuk ka një helikopter të vetëm i cili do të mund të përdorej qoftë për nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Punëve të Brendshme, të protokollit të shtetit, si dhe për rastet e tilla për shuarjen e zjarreve nga ajri dhe hedhjes e ujit nga ajri…Është e domosdoshme që shteti i Kosovës të ketë një ose dy helikopterë që në rast nevoje të bëjë intervenime të tilla, pastaj mund të përdoret edhe për Ushtrinë e Kosovës, për Ministrinë e Punëve të Brendshme”, shprehet ai.

Udhëheqësi i divizionit për çështje ligjore, marrëdhënie me publikun dhe ndërkombëtare në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj deklaron se Kosova ka nevojë të pajiset me disa helikopterë.

“Kosova ka nevojë të pajiset me disa helikopterë, sepse edhe në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë i bërë në vitin 2012-2014, kemi ardhur në përfundime të caktuara që minimumi i kërkesave për helikopter, për Forcës e Sigurisë, nuk po e përmendi këtu sepse kanë kërkesa specifike, por për Policinë e Kosovës dhe për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, në cilindo rast krize minimumi ka qenë katër, tani mos të them edhe gjashtë, por në asnjë mënyrë një. Një si asnjë. Kurdo që opinioni dhe vendimmarrësit sigurojnë mjetet për të siguruar helikopterë, gjithë stafin ose gjithë mekanizmat mbështetës për të funksionuar ata helikopterë, atëherë do të ishte lehtësues dhe domosdoshmëri për reagim në raste emergjente”, deklaron Koqinaj.

Në një përgjigje për KosovaPress, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se para disa viteve është filluar një nismë për sigurimin e tre helikopterëve.

“Ju informojmë se në vitin 2017 është nisur një nismë për sigurimin e tre helikopterëve për tri ministri, me qëllim ofrimin e shërbimit të linjës: Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Megjithatë, ky projekt ka pasur një impakt financiar relativisht të madh dhe nuk është finalizuar dhe ka mbetur si një draft projekt”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pati deklaruar për KosovaPress, se faza e paraparë për furnizim e plotësim me kapacitete ajrore është faza e tretë nga viti 2025 deri në vitin 2028. /koha

Related posts

Deputetja e Britanisë së Madhe akuzon kolegët për përdorimin e fjalorit islamofobik

rezart morina

Vendos Specialja, Thaçi dhe Veseli mbesin në paraburgim

admin

Volodymyr Zelensky shpallet “Personi i vitit” nga revista “Time”

admin