RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

A do të kompensohen orët e humbura të mësimit?

a-do-te-kompensohen-oret-e-humbura-te-mesimit?

Me një muaj vonesë, për shkak të grevës në institucionet publike arsimore, mbi 300.000 nxënës në Kosovë nisën më 3 tetor vitin e ri shkollor.

Orët e humbura në shtator nuk dihet nëse do të kompensohen ose jo – Ministria e Arsimit thotë se duhet, Sindikata e Arsimit insiston se nuk ka obligim ligjor për këtë.

Më të shqetësuar për humbjen e tyre, me sa duket, janë maturantët.

“Orët duhet të kompensohen. Edhe nëse unë angazhohem më tepër në shtëpi, efekti nuk do të jetë njësoj si në shkollë”, thotë L.V., nxënës i klasës së 12-të në Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ky 17-vjeçar thotë se shqetësim të ngjashëm ndajnë edhe shokët e shoqet e tij.

Nxënësit që përfundojnë shkollën e mesme në Kosovë i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës. Përfundimi me sukses i këtij testi – edhe pse shpesh i përcjellë me parregullsi – u mundëson atyre aplikimin për studime në universitet.

Nehat Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë, thotë se janë pikërisht maturantët ata që do të humbasin më shumë, nëse orët e humbura gjatë grevës, nuk kompensohen.

“Mësimi për maturantët përfundon më 16 maj. Viti shkollor për ta ka vetëm 160 ditë mësim. Deri më tani janë humbur 22 ditë. Kjo do të ketë efekt negativ në testin e maturës”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Ministria e Arsimit e ka obligim që të gjejë forma për zëvendësimin e orëve të humbura.

Nga kjo ministri pohojnë se 22 ditët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.

“Ne do ta ndryshojmë kalendarin e vitit shkollor, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, situata me grevën njëmujore e ka vështirësuar edhe më shumë procesin mësimor në Kosovë, edhe ashtu të rënduar nga pandemia e koronavirusit.

Kalendari i vitit shkollor 2022/2023 përcakton fillimin dhe mbarimin e vitit shkollor, pushimin dimëror, pushimin pranveror dhe festat publike për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar.

Nga Ministria e Arsimit, tash për tash, nuk japin ndonjë informacion se si mëtojnë ta ndryshojnë këtë kalendar.

Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim – SBASHK, e cila ka organizuar grevën, thonë se zëvendësimi i orëve të humbura nuk është obligim ligjor.

Ata përmendin Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës, të nënshkruar në vitin 2021, ku thuhet se “orët mësimore të humbura gjatë grevës, nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese të kësaj kontrate arrijnë marrëveshje të veçantë”.

Kjo kontratë nënshkruhet çdo tre vjet midis Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut dhe përcakton, mes tjerash, obligimet e të punësuarve në institucionet publike arsimore.

“Ne nuk jemi kundër kompensimit [të orëve], por bazuar në Kontratën [Kolektive], Ministria e Arsimit nuk ka të drejtë të urdhërojë kompensim të orëve, pa diskutuar me përfaqësues dhe anëtarësi të SBASHK-ut. Shpresoj që kjo të bëhet”, thotë për REL-in kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

SBASHK-u ka organizuar grevën me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj për të gjithë punonjësit në sistemin publik arsimor, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.

Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë kërkesë, duke thënë se Ligji për paga, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti.

SBASHK-u njoftoi më 1 tetor se ka pezulluar grevën deri në janar, duke thënë se shpreson që Qeveria “të mbajë fjalën” për Ligjin për paga.

Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në janar, marrë parasysh se Ligji për paga hyn në fuqi tetë muaj pas miratimit.

Nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thonë se orët duhet të kompensohen, por jo në fundjavë.

“Vendimet që bien ndesh me jetën e përditshme të fëmijëve dhe prindërve nuk duhet të jenë opsion”, thotë kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi.

Ai shton se ky këshill do të pajtohej me secilin opsion tjetër të Ministrisë së Arsimit, por nuk specifikon se cilat mund të jenë këto opsione.

Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit, thotë se orët duhen kompensuar qoftë edhe në fundjavë. Sipas tij, prindërit duhet të këmbëngulin te Qeveria dhe SBASHK-u që sa më parë të gjejnë marrëveshje për zëvendësimin e orëve të humbura – në të kundërtën, thotë ai, rrezikohet cilësia e mësimit, edhe ashtu e dobët.

Në dy teste të PISA-s – program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve – Kosova ka dalë gati në fund të listës.

Rezultatet e PISA-s së këtij viti nuk janë publikuar ende.

Cilësinë e arsimit në Kosovë e ka kritikuar edhe Banka Botërore në një raport të publikuar në vitin 2020. Sipas saj, nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Ekspertë të fushës së arsimit thonë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar, po ashtu, në mësimnxënie.

Gjatë dy vjetëve të parë të pandemisë, më 2020 dhe 2021, nxënësit kanë kaluar në mësim online, apo nga distanca, në disa periudha të ndryshme kohore.

Related posts

Erdoğan paralajmëron Greqinë: Nëse shkoni shumë larg, do të ketë një çmim të rëndë

admin

Erdoğan: Turqia synon të sigurojë paqe përmes diplomacisë së vrullshme

rezart morina

WHO: 723 punonjës shëndetësorë të Gazës janë vra’rë gjatë luf’tës

admin