RTV AHIRETI
Lajme

A po përsëritet skenari i vitit 2014? PDK para një përçarjeje të re

a-po-perseritet-skenari-i-vitit-2014?-pdk-para-nje-percarjeje-te-re

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se po përballet me një tjetër fazë të thellë përçarjeje, e ngjashme me atë të vitit 2014, kur Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi u ndanë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli për të themeluar një parti të re.

Dorëheqja e Memli Krasniqit nga pozita e kryetarit të PDK-së ka hapur një cikël të ri pakënaqësish dhe tensione të brendshme. Konventa e jashtëzakonshme për zgjedhjen e kryetarit të ri është caktuar të mbahet më 17 nëntor, por që në momentet e para pas dorëheqjes, debatet e ashpra, dilemat dhe pozicionimet e ndryshme kanë filluar të dalin në sipërfaqe.

Enver Hoxhaj, ish-kryetar i PDK-së dhe një figurë me role kyçe në qeverisjet e Hashim Thaçit, kërkoi shtyrjen e konventës, duke ngritur dyshime për procesin dhe kohezionin e brendshëm të partisë.

Ndërkohë, sekretarja e përgjithshme Vlora Çitaku reagoi duke theksuar se PDK ka nevojë për një drejtim të ri dhe për vizion të ri, jo për rikthimin e skemave të vjetra. Ajo theksoi:
“PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë.”

Pas Hoxhajt reagoi edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili shpesh ka pasur përplasje me kryesinë e PDK-së. Ai kërkoi që kandidati i ri për kryetar të prezantojë platformë të qartë politike dhe një ekip të aftë për të sfiduar qeverinë aktuale.

Këto zhvillime kanë rikthyer kujtimet e vitit 2014, kur PDK u përball me një përçarje të thellë të shkaktuar nga mosmarrëveshje të brendshme, publikimi i përgjimeve dhe pakënaqësitë ndaj modelit të udhëheqjes së asaj kohe.

Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi u larguan nga PDK për shkak të mosmarrëveshjeve të thella ideologjike dhe organizative — nga mungesa e demokracisë së brendshme e deri te skandalet që kishin goditur partinë. Kulmi i tensioneve u arrit në fillim të vitit 2014, ndërsa më 28 shkurt Limaj dhe Krasniqi themeluan partinë e re Nisma për Kosovën, duke e vulosur ndarjen.

Sot, pas më shumë se një dekade, dhe në një moment kyç për të ardhmen e saj, PDK rrezikon të përballet sërish me dinamika të ngjashme fragmentimi. Pyetja që shtrohet është: A do të arrijë partia të dalë e bashkuar nga kjo krizë, apo historia e vitit 2014 do të përsëritet?

The post A po përsëritet skenari i vitit 2014? PDK para një përçarjeje të re first appeared on Radio Televizioni Iliria.

Related posts

Pedofili australian akuzohet për 596 raste abuzimi me fëmijë në nivel global

RTI

Programi Botëror i Ushqimit: Uria do jetë e pashmangshme në Gazën veriore nëse ndihmat nuk rriten

admin

Ka munguar prej kohësh, Iraku do të dërgojë 10 milionë litra karburant në Gaza

admin