Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me partnerët e koalicionit parazgjedhor, kanë prezantuar programin zgjedhor 2025-2029. Sipas krerëve të koalicionit, ky program është zhvillimor dhe integrues në mekanizmat ndërkombëtarë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se programi është rezultat i një punë dy vjeçare që përfshinë katër shtylla kryesore, e siç janë anëtarësimi urgjent i Kosovës në NATO, zhvillimi i hovshëm ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE dhe me konceptin Kosova shtet i jetueshëm, e jo i braktisur.
“Programi ynë si moto e ka ‘Për një Kosovë ndryshe’. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë”, ka thënë Haradinaj.
Sipas tij, me këtë program synohet në Kosovë më të fortë, më demokratike dhe më të zhvilluar.
“NATO, Liria dhe Shteti i Kosovës, janë projekt i përbashkët i yni me demokracitë perëndimore, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Kosova do të jetë aty ku e ka vendin në NATO dhe BE. Kosova mund të jetë vend i sigurt dhe i pa cenueshëm duke qenë pjesë e NATO-s, e kjo nuk mund të bëhet me udhëheqje autoritare. Shtylla e rëndësishme është zhvillimi i hovshëm ekonomik”, ka thënë Haradinaj.
E kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se ky program jep shpresë dhe mundësi, me ç’rast ka përmendur edhe objektivat e koalicionit.
“Është një program i kapshëm konkret që atakon nevojat e njerëzve, një program që jep shpresë dhe mundësi. Ka për objektiv çlirimin e këtij populli. Ne kemi mbledhur shqetësimet, është një program dinamik që do të ju përshtat nevojave dhe kërkesa te vazhdueshëm. Objektivat tona janë në reforma, Kosovës i duhet urgjentisht një reformë fiskale. Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kosovës i duhet kthimi i modelit të partneritetit publiko-privat. Objektivi ynë është mirëqenia në familje”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, objektiv i koalicionit është edhe sektori energjetik.
“Termocentralet do të jenë objektivi i yni. Për të pasur një zhvillimi ekonomik, bujqësia duhet që të jetë epiqendra. Për të pasur një zhvillim ekonomik na duhet sektori i turizmit të fuqizohet”, ka thënë ai.
Kryetari i Forumit Intelektual E-30, Artan Nimani ka thënë se koalicioni ka një përkushtim për të ndalur degradimin e skajshëm diplomatik, ekonomik e social të vendit.
Kurse, kryetar i Listës Konservatore, Abdullah Klinaku, ka thënë se në këtë program qeverisës familja ka qenë po ashtu një nga prioritete e programit, me ç’rast edhe i ka bërë të ditura propozimet në kuadër të kësaj çështje.