RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

​Abazoviq: Nuk ndryshojmë qëndrim ndaj Kosovës

​abazoviq:-nuk-ndryshojme-qendrim-ndaj-kosoves

Kosova dhe Mali i Zi kanë nënshkruar marrëveshjen për shërbime ajrore që mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore e të kohës së fluturimit për 15 minuta.Deri më tani korridoret hyrëse dhe dalëse ekzistuese ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës shfrytëzoheshin vetëm për fluturimet ushtarake të NATO-s, derisa fluturimet komerciale nuk mund të realizoheshin.

Nënshkrimi i marrëveshjes u bë të premten ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.

Në një deklaratë të përbashkët për media, dy homologët potencuan nevojën e kësaj ujdie për përmirësimin e atmosferës rajonale të bashkëpunimit.

Kryeministri Kurti tha se marrëveshja do të rregullojë hapësirën ajrore mes dy vendeve, derisa tha se po punojnë edhe për dinamizmin e bashkëpunimit me Malin e Zi për ndërtimin e rrugëve Deçan-Plavë dhe Pejë-Rozhajë

“Marrëveshja që e nënshkruam sot ofron mundësi të reja të zhvillimit të Aviacionit Civil. Mundëson shkurtimin e rrugëve ajrore dhe të kohës së fluturimit për 15 minuta. Një kompani ajrore që ka fluturuar katër herë në ditë me këtë marrëveshje lehtësisht mund të shtojë edhe një fluturim”, tha ai.

Ndërkaq, Abazoviq, potencoi se e ardhmja e gjithë rajonit është në Bashkim Evropian, ku përmendi si sukses të Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Kosovës në sundimin e ligjit dhe progresin ekonomik.

“Ardhmërinë tonë e shohim në Bashkim Evropian, e shohim në një familje të madhe evropiane. E vërtet se duhet të kryejmë shumë detyra derisa të dy shtetet të bëhen anëtarë të plotë. Por mendoj se Kosova dhe Mali i Zi vitin e kaluar kanë treguar se në dy sfida kryesore, me drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe tjetra me ekonomi kanë pasur shumë sukses. Unë e uroj kryeministrin të vazhdohet në këtë drejtim, ndoshta edhe më intensiv”, theksoi Abazoviq.

Në anën tjetër, Kurti e mirëpriti edhe ratifikimin e marrëveshjeve nga Mali i Zi të mobilitetit për tregun e përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Përkitazi me këtë, ai theksoi se rregullat e BE-së, avancimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit si dhe forcimi i aleancës trans-atlantike janë qëndrimi dhe parakushti i Kosovës për bashkëpunim rajonal.

“Na gëzon fakti që Mali i Zi i ka ratifikuar tri marrëveshjet e mobilitetit në Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. Rregullat e Bashkimit Evropian, avancimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit dhe forcimi i aleancës transatlantike janë qëndrim, qëllim dhe përkushtim i Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal”, tha Kurti.

Ndërkaq, Abazoviq tha se Mali i Zi nuk do të ndryshojë asnjë politikë ndaj Kosovës, ani pse atje ka pasur ndryshim të pushtetit.

“Në Mal të Zi kanë ndodhur edhe disa procese politike, por kjo nuk do të ndryshojë asnjë politikë ndaj Kosovës zyrtare. Ju mundeni me llogaritë në Mal të Zi dhe në ato që kanë me qenë aktivitetet ndërkombëtare të Kosovës në të ardhmen. Ne jemi të më se të gatshëm të përkrahim në kapacitet sa janë mundësitë tona”, theksoi Abazoviq.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë, ku pritet të takohet edhe me liderë të tjerë institucionalë dhe politikë.

Related posts

Presidentja Osmani diskuton me homologun gjerman për zhvillimet e fundit në Kosovë

rezart morina

Ushtria izraelite sulmon Libanin jugor pasi pretendoi se kishte rrëzuar 2 ‘objektiva të dyshimta ajrore’

admin

Zgjedhjet në veri, Konjufca: Nuk do të shtyhen më

rezart morina