RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Abbas: Sulmeve të Izraelit do t’u kundërvihemi me rezistencë popullore

abbas:-sulmeve-te-izraelit-do-t’u-kundervihemi-me-rezistence-popullore

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas tha se sulmeve të Izraelit do t’u kundërvihen duke zgjeruar rezistencën popullore pro-paqes dhe me iniciativa në nivel ndërkombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Abbas dërgoi një video-mesazh në ceremoninë e cila u mbajt në ndërtesën e Bashkisë së Ramallahut në Bregun Perëndimor të pushtuar për nder të akademikëve që mbështesin kauzën e Palestinës.

Ai theksoi se nuk do të dorëzohen përballë sulmeve izraelite, se do të rezistojnë në territoret e Palestinës dhe se do të zgjerojnë rezistencën popullore pro- paqes. Abbas më tej vuri theksin se veprojnë në nivel ndërkombëtar me të gjithë ata që janë pro-paqes dhe drejtësisë.

“Edhe këto hapa janë ndërmarrë për të detyruar Izraelin që t’i japë fund pushtimit dhe sulmeve të tij të fundit si dhe për ta bërë përgjegjës për krimet dhe shkeljet ndaj ligjit ndërkombëtar që ka kryer”, tha Abbas.

Në fjalën e tij, presidenti palestinez potencoi rëndësinë e mbështetjes së projektit kombëtar të Palestinës të lidhur me paqen e drejtë dhe gjithëpërfshirëse për të mbrojtur të drejtën, drejtësinë dhe paqen.

Duke tërhequr vëmendjen se Izraeli ka kryer shkelje dhe sulme në çdo moment kundër popullit, territorit dhe vlerave të shenjta të Palestinës, Abbas tha: “Pushtimi kolonial, me ushtrinë e tij dhe kolonë terroristë hebrenj, kryejnë sulm sistematik kundër territoreve dhe popullit të Palestinës”.

“Vendbanimet kolone janë përhapur si ‘kancer’. Forcat izraelite vazhdojnë pandërprerë praktikat për vrasjet, konfiskimin e trupave të palestinezëve, djegien e shtëpive, konfiskimin e tokave, tërheqjen e ekonomisë në kolaps dhe pengesën për kryerjen e investimit në burimet natyrore”, tha Abbas.

Ushtarët izraelitë shpeshherë me pretendime të ndryshme kryejnë bastisje në shumë qytete të Bregut Perëndimor nën pushtim. Si pasojë e zjarrit të hapur nga ushtarët izraelitë gjatë këtyre bastisjeve, që nga fillimi i vitit e deri më tani kanë humbur jetën mbi 100 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sipas të dhënave të Lëvizjes “Paqe Tani” (Peace Now), organizatës joqeveritare izraelite, në Bregun Perëndimor përfshirë edhe Kudsin Lindor ndodhen 145 vendbanime të mëdha dhe 140 vendbanime ilegale dhe se në këto jetojnë rreth 666 mijë kolonë.

Sipas ligjit ndërkombëtar, Bregu Perëndimor dhe Kudsi Lindor janë territore të pushtuara dhe të gjitha aktivitetet e vendbanimeve këtu, konsiderohen të paligjshme.

– Vendbanimet ilegale janë të paligjshme edhe sipas ligjit izraelit

Njësitë e vendbanimeve ilegale ndërtohen në tokat bujqësore të cilat në përgjithësi janë pronë private e palestinezëve, duke vendosur struktura të parafabrikuara si automjete kampingu dhe kontejnerë.

Vendbanimet ilegale hebreje në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar në Bregun Perëndimor, konsiderohen të paligjshme edhe sipas ligjeve izraelite.

Kolonët hebrenj që jetojnë në njësitë e vendbanimeve ilegale, ngacmojnë palestinezët dhe i pengojnë ata të arrijnë në tokat e tyre bujqësore ndërsa edhe ushtria izraelite siguron mbrojtje për kolonët hebrenj që jetojnë këtu.

Related posts

Izraeli i urdhëron palestinezët të largohen nga Kan Junis, shenjë e nisjes së një ofensive ushtarake

admin

Sulmohen me shok bomba policët e Kosovës në veri

admin

Bolivia mbështet presidentin e Brazilit për deklaratën në të cilën akuzon Izraelin për gjenocid në Gaza

rezart morina