Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vizituar minatorët e Trepçës, të cilët janë në grevë më shumë se tri javë, për shkak të mos ekzekutimit të pagave për dy muajt e kaluar.

“Çdo involvim i yni partiak, barte rrezikun e politizimit të kauzës së tyre. Por neglizhenca institucionale, e shtetit, e qeverisë popullsite, e vargut të gjatë të atyre përfituesve që Trepçën e Minatorët i përdorin si pamflet elektoral njëpërdorimësh, ka bërë observimin tonë të duket i pakuptimtë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku i ka cilësuar si johumane kushtet e punës së tyre, duke thënë se pajisjet i kanë tejet të vjetra.

“Janë në rend të dytë sepse plot 1100 punëtorë të Trepçës, janë pa paga dhe po futen në muajin e tretë pa asnjë pagë kompensim. Punëtorët janë të Trepçës. Trepça është e shtetit. Ata kanë kontrata, kanë zotim shtetëror për pagën që duhet marrë. Partia në pushtet menaxhon me kompleks me Borde e me Menaxhment. Është përgjegjësi e tyre, e shtetit, që punëtorët e vet t’i kompensojë për punën dhe kontratën që kanë”, ka vazhduar më tej i pari i LDK-së.