RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Aeroporti i Vlorës, shqiptarët po paguajnë koston e lojërave gjeopolitike e korruptive të Ramës

aeroporti-i-vlores,-shqiptaret-po-paguajne-koston-e-lojerave-gjeopolitike-e-korruptive-te-rames

Koston e përplasjes me Pacollin do e paguajnë sërish taksapaguesit

Konflikti mes kompanive të Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit për Aeroportin e Vlorës ka hyrë në një fazë të re. Pas skadimit të afateve dhe përshkallëzimit të konfliktit, Ministria e Infrastrukturës ka nisur procedurat për prishjen e kontratës së koncesionit.

Punimet nuk përfunduan as brenda afatit shtesë. Shteti synon të marrë kontrollin e projektit, ndërsa Pacolli ka paralajmëruar arbitrazhin ndërkombëtar. Në pamje të parë, kjo mund të duket si një mosmarrëveshje e zakonshme mes ortakësh.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Aeroporti i Vlorës është simboli i një modeli qeverisjeje që ka shndërruar interesin publik në monedhë shkëmbimi për interesa politike, ekonomike dhe gjeopolitike.

Dështimi i projektit nuk është thjesht pasojë e përplasjes mes kompanisë “Mabco Constructions”, që zotëron 98 për qind të aksioneve, dhe kompanisë “2A Group”, e cila zotëron vetëm 2 për qind.

Pyetja thelbësore është se si u lejua që një konflikt i tillë të arrinte deri në bllokimin e një investimi strategjik, pa ndërhyrjen e shtetit. Qeveria heshti për muaj të tërë. Madje, situata arriti deri në përplasje fizike mes punonjësve në kantier.

Edhe më shqetësues është fakti se Behgjet Pacolli ka paralajmëruar nisjen e një arbitrazhi ndërkombëtar kundër shtetit shqiptar. Nëse kjo ndodh, fatura do të bjerë mbi qytetarët shqiptarë.

Ky skenar është parë edhe më herët. Mjafton të kujtojmë rastin e biznesmenit Francesco Beçhetti, ku Shqipëria u përball me një kosto prej qindra milionë eurosh. Por historia e Aeroportit të Vlorës lidhet edhe me një dimension tjetër.

Pacolli nuk është një emër i panjohur në marrëdhëniet mes politikës, biznesit dhe diplomacisë. Ai ka pasur prej dekadash lidhje të forta me Rusinë, ku ka realizuar projekte të rëndësishme, madje edhe gjatë periudhës kur Vladimir Putini mbante poste drejtuese në Shën Petersburg.

Disa vite më parë, ai paraqiti planin për një investim gjigant në zonën e Divjakës, me pjesëmarrjen e kapitalit rus dhe kinez. Projekti nuk u realizua. Në vend të tij, nisën të shfaqeshin investitorë të tjerë, emra të tjerë dhe interesa të tjera.

Dokumentet e publikuara nga “The Albanian Files”, hedhin dritë mbi një tjetër histori, këtë herë në Karavasta. Rreth 1000 hektarë tokë publike iu dhanë kompanive të lidhura me oligarkun rus Oleg Deripaska dhe një biznesmen shqiptar.

Zyrtarisht, bëhet fjalë për një projekt bujqësor. Në praktikë, plani parashikon ndërtimin e një qyteti të tërë me kulla, vila, resorte dhe marina. Kjo është arsyeja pse çështja e Karavastasë nuk mund të shihet e ndarë nga ajo e Vlorës.

Në të dy rastet shfaqet i njëjti model. Ligjet ndryshohen. Institucionet heshtin. Pronat publike vihen në dispozicion të interesave private. Konfliktet shpërthejnë vetëm atëherë kur prishen ekuilibrat mes grupeve rivale.

Paradoksi është i hidhur. Divjaka e ka humbur më shumë se gjysmën e popullsisë së saj për shkak të emigracionit, por qeveria planifikon qytete të reja për dhjetëra mijëra banorë që askush nuk e di se nga do të vijnë.

Nga ana tjetër, miliona euro nga fondet publike përdoren për të ndërtuar infrastrukturën që do t’u shërbejë këtyre projekteve. Këtu nuk bëhet më fjalë për të majtën apo të djathtën. Nuk bëhet fjalë as për Lindjen dhe Perëndimin.

Flitet për një pushtet që sillet sikur Shqipëria të jetë një tabelë shahu, ku interesat amerikane, ruse, kineze etj dhe vendase ndërthuren vazhdimisht, ndërsa qytetarët mbeten gjithmonë humbësit e vetëm.

Në fund, aeroportet mbeten të papërfunduara, zonat e mbrojtura mbulohen me beton, arbitrazhet shtohen dhe borxhi publik rritet. Ndërsa faturën, si gjithmonë, e paguajnë shqiptarët. tesheshi

Related posts

Turqia thotë se nuk qëndron prapa sulmit në Irak

admin

Nuk u dolën rrogat, punëtorët shëndetësor protestojnë para QKMF-së në Prishtinë

admin

Ministria e Bujqësisë njofton se ka filluar pagesat e subvencioneve për fermerët

admin