RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Afati deri më 9 gusht, MASh u bën thirrje prindërve të aplikojnë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore

afati-deri-me-9-gusht,-mash-u-ben-thirrje-prinderve-te-aplikojne-per-subvencionimin-e-teksteve-dhe-materialeve-shkollore

Deri të premten, 102.897 prindër dhe kujdestarë ligjorë kanë aplikuar përmes platformës e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët (klasat 1–9).

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASh) u ka bërë thirrje prindërve që ende nuk kanë aplikuar ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që mjetet financiare të transferohen me kohë në xhirollogaritë e tyre.

“Deri në orëm 16:00 të ditës së sotme kanë aplikuar 102.897 prindër. Aplikimi do të jetë i hapur deri më 9 gusht 2026. U bëjmë thirrje të gjithë prindërve që ende nuk kanë aplikuar në e-Kosova për subvencionimin e teksteve mësimore dhe materialeve shkollore për nxënësit nga klasa e parë deri në të nëntën që ta bëjnë këtë sa më parë, në mënyrë që Ministria të ketë mundësi të realizojë me kohë dhe sa më shpejt transferimin e mjeteve financiare në xhirollogaritë e prindërve, që në shtator secili nxënës ta nisë mësimin i pajisur me libra”, ka deklaruar drejtoresha për Arsimin Parauniversitar në MASh, Anita Kadriu.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë gjithë procesit të aplikimit qytetarëve u është ofruar mbështetje e vazhdueshme për çdo paqartësi apo vështirësi të hasur.

“Procesi i aplikimit po zhvillohet me sukses dhe deri më tani ka rrjedhur pa pengesa, falë bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm me stafin e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Gjatë gjithë procesit, qytetarëve u është ofruar mbështetje e vazhdueshme për çdo paqartësi apo vështirësi të hasur gjatë aplikimit, duke siguruar vazhdimësinë e procesit pa vonesa”, tha Kadriu.

Mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogarinë bankare të prindit/aplikuesit.

“Para se të aplikojnë, por edhe ata prindër që tashmë kanë aplikuar, i lusim të sigurohen që xhirollogaria e tyre bankare është aktive dhe e saktë, si dhe që të dhënat në e-Kosova janë të përditësuara”, shtoi ajo.

Kadriu bëri të ditur se aplikimi do t’u mundësohet edhe shtetasve të huaj me leje qëndrimi të përkohshme ose të përhershme në Republikën e Kosovës, fëmijët e të cilëve vijojnë mësimin në institucionet arsimore të vendit.

“Për shtetasit e huaj që ende nuk posedojnë leje qëndrimi, por kanë fëmijë të regjistruar në shkollat e Republikës së Kosovës, MASh do t’ia dorëzojë ASHI-së listën e këtyre rasteve me qëllim të krijimit të qasjes në e-Kosova për aplikim. Dokumentet për këtë kategori prindërit mund t’i dërgojnë me email në adresën libri@rks-gov.net, por edhe në formë fizike në MASh”, tha ajo.

Sipas MASh-it, të gjitha aplikimet do të verifikohen nga shkollat përkatëse përmes koordinatorëve të autorizuar.

Related posts

Të paktën 27 të vdekur nga zjarri në një lokal pranë tregut Chatuchak në Bangkok

RTI

Australia konfirmon praninë e tre australianëve në nëndetësen që sulmoi fregatën iraniane pranë Sri Lankës

admin

Zv/presidenti amerikan: Humbja e Orbanit, shumë e keqe për SHBA-në

RTI