RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Afganët gërmojnë me duar rrënojat në kërkim të të mbijetuarve

afganet-germojne-me-duar-rrenojat-ne-kerkim-te-te-mbijetuarve

Fshatarët nxituan të varrosnin të vdekurit të enjten dhe gërmuan me duar nëpër rrënojat e shtëpive të tyre në kërkim të të mbijetuarve të tërmetit të fuqishëm në Afganistanin Lindor, që la të vdekur të paktën 1.000 njerëz. Talebanët dhe komuniteti ndërkombëtar, që u largua vjet, u përpoqën të sillnin ndihmë për viktimat e katastrofës.

Nën qiellin e zymtë në provincën Paktika, e cila ishte epiqendra e tërmetit të së mërkurës me magnitudë 6 ballë, burrat hapën një varg varresh në një fshat, teksa u përpoqën t’i shtrinin të vdekurit për të pushuar shpejt në përputhje me traditën myslimane. Në një oborr, trupat shtriheshin të mbështjellë me qese plastike për t’i mbrojtur nga shirat që po pengojnë përpjekjet për të ndihmuar të gjallët.

Pa ushqim e pa strehë

Tërmeti ishte më vdekjeprurësi në Afganistan në dy dekada dhe zyrtarët thanë se numri mund të rritet. Rreth 1.500 të tjerë u raportuan të plagosur, tha agjencia shtetërore e lajmeve Bakhtar.

“Ata nuk kanë asgjë për të ngrënë, ata po pyesin veten se çfarë mund të hanë, dhe gjithashtu po bie shi”, tha një reporter i Bakhtarit nga zona e tërmetit. “Shtëpitë e tyre janë shkatërruar. Ju lutemi ndihmoni ata, mos i lini vetëm”.

Fatkeqësia ka rënduar edhe më shumë mjerimin në një vend ku miliona njerëz tashmë janë përballur me urinë dhe varfërinë në rritje dhe sistemi shëndetësor është shkatërruar qëkur talebanët rimorën pushtetin gati 10 muaj më parë në mes të tërheqjes së SHBA-së dhe NATO-s. Kthimi taleban çoi në ndërprerje të financimit jetik ndërkombëtar dhe pjesa më e madhe e botës i është shmangur qeverisë talebane.

Si do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë komuniteti ndërkombëtar humanitar, i cili ka tërhequr burime të konsiderueshme nga vendi, dhe nëse qeveria talebane do të lejojë atë, mbetet pikëpyetje e madhe. Në një lëvizje të rrallë, udhëheqësi suprem i talebanëve, Haibatullah Akhundzadah, iu lut botës për ndihmë të mërkurën, por një zyrtar i OKB-së tha se qeveria nuk kishte kërkuar që organi botëror të mobilizonte ekipet ndërkombëtare të kërkim-shpëtimit ose të merrte pajisje nga vendet fqinje.

“Ne kërkojmë nga Emiratet Islamike dhe i gjithë vendi që të vijnë dhe të na ndihmojnë”, tha një i mbijetuar, i cili dha emrin e tij si Hakimullah. “Ne kemi mbetur pa asgjë dhe nuk kemi asgjë, madje as një tendë për të jetuar”.

Të harruar nga të gjithë

Përmasat e plota të shkatërrimit midis fshatrave të zhytura në male ende nuk janë spikatur mirë. Rrugët, të cilat janë të prishura dhe të vështira për t’u përshkuar në rrethanat më të mira, mund të jenë dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe rrëshqitjet e dheut nga reshjet e fundit i kanë bërë disa të pakalueshme. Megjithëse vetëm 175 kilometra në jug të kryeqytetit Kabul, në disa fshatra në distriktin Gayan të goditur rëndë, u desh një ditë e plotë me makinë për të arritur.

Muret dhe çatitë e dhjetëra shtëpive në qark u shembën nga tërmeti dhe fshatarët thanë se familje të tëra u varrosën për së gjalli nën rrënoja. Gazetarët e Associated Press numëruan rreth 50 trupa vetëm në zonë, ndërsa njerëzit i vendosnin të vdekurit para shtëpive dhe oborreve të tyre.

Pjesa më e madhe e rrënojave ishte shumë e madhe që njerëzit të lëviznin me duar ose lopata. Ata thanë se shpresonin se ekskavatorët e mëdhenj do të mbërrinin. Për momentin, në zonë kishte vetëm një buldozer.

Ndërsa ndërtesat moderne u rezistojnë tërmeteve me magnitudë 6 ballë, në vende të tjera, shtëpitë e Afganistanit me qerpiç dhe malet me rrëshqitje dheu i bëjnë tërmete të tilla më të rrezikshme. Tërmetet e cekëta gjithashtu shkaktojnë më shumë dëme dhe ekspertët thonë se thellësia e së mërkurës është vetëm 10 kilometra.

Shpëtuesit nxituan me helikopter, dhe gazetarët e AP-së panë gjithashtu ambulanca në zonën e tërmetit të enjten, por përpjekjet më të gjera të ndihmave mund të pengohen nga eksodi i shumë agjencive ndërkombëtare të ndihmës nga Afganistani pas pushtimit të talebanëve gushtin e kaluar. Për më tepër, shumica e qeverive janë të kujdesshme për t’u marrë drejtpërdrejt me talebanët.

Megjithatë, zyrtarë nga disa agjenci të OKB-së thanë se talebanët po u jepnin atyre qasje të plotë në zonë.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, tha se tetë kamionë me ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme nga Pakistani mbërritën në Paktika. Ai tha gjithashtu të enjten se dy avionë me ndihma humanitare nga Irani dhe një tjetër nga Katari kishin mbërritur në vend.

Rruga e gjatë e ndihmës

Marrja e ndihmës më të drejtpërdrejtë ndërkombëtare mund të jetë më e vështirë: Shumë vende, përfshirë SHBA-në, dërgojnë ndihmën humanitare në Afganistan përmes OKB-së dhe organizatave të tjera të tilla për të shmangur vënien e parave në duart e talebanëve.

Në një buletin lajmesh të enjten, televizioni shtetëror i Afganistanit pranoi se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, armiku i tyre i dikurshëm, shprehu ngushëllime dhe premtoi ndihmë. Bideni urdhëroi të mërkurën agjencinë ndërkombëtare të ndihmës amerikane dhe partnerët e saj që të “vlerësojnë” opsionet për të ndihmuar viktimat, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Numri i të vdekurve të raportuar nga Bakhtari ishte i barabartë me atë të tërmetit të vitit 2002 në Afganistanin Verior. Këta janë më vdekjeprurësit që nga viti 1998, kur një tërmet me magnitudë 6.1 ballë dhe lëkundjet pasuese në verilindjen e largët lanë të paktën 4.500 të vdekur.

Tërmeti i së mërkurës ishte me qendër në provincën Paktika, rreth 50 kilometra në jugperëndim të qytetit të Khostit.

Në rrethin Speray të provincës fqinje Khost, i cili gjithashtu pësoi dëme serioze, burrat qëndruan në majë të asaj që dikur ishte një shtëpi me baltë. Tërmeti kishte çarë trarët prej druri. Njerëzit u ulën jashtë nën një tendë të improvizuar të bërë nga një batanije që valëvitej nga era.

Të mbijetuarit përgatitën shpejt të vdekurit e distriktit, duke përfshirë fëmijë dhe një foshnjë për varrim. Zyrtarët kanë frikë se do të gjenden më shumë të vdekur në ditët në vijim.

“Është e vështirë të mblidhen të gjitha informacionet e sakta, sepse është zonë malore”, tha Sulltan Mahmood, shefi i distriktit Speray. “Informacionet që ne kemi janë ato që kemi mbledhur nga banorët e këtyre zonave”. Përktheu: Forca Jashari /koha

Related posts

“Mbi 1.200 izraelitë të vrarë në sulmin e Hamasit dhe mbi 200 të zënë rob”

admin

Irani ekzekuton 4 persona të cilët u akuzuan se spiunonin për Izraelin

rezart morina

Ushtria izraelite u bën thirrje banorëve të Gazës qendrore të shkojnë në jug

admin