Ministrja për Marrëdhëniet dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar të Afrikës së Jugut, Naledi Pandor tha se Izraeli duke vazhduar sulmet në Gaza po shkel vendimet e masës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), transmeton Anadolu.
Në një deklaratë për gazetarët gjatë Takimit të Bordit Ekzekutiv të Ministrave të Jashtëm të Unionit Afrikan të mbajtur në Addis Ababa, kryeqytetin e Etiopisë, Pandor tha: “Ato që po ndodhin në Gaza, në Bregun Perëndimor dhe tani në Rafah konfirmojnë pretendimet që kemi paraqitur në GJND se në territoret palestineze nën pushtim po kryhet gjenocid dhe se veprimet e qeverisë izraelite vërtetojnë qartë se ajo që kemi thënë është e vërtetë”.
“Është shqetësuese që bota i lejon Izraelit të injorojë këto vendime dhe mosmarrja e ndonjë mase për të vendosur forcë paqeruajtëse për të mbrojtur civilët e pafajshëm”, tha ministrja Pandor.
Duke dënuar shënjestrimin e gazetarëve në Palestinë, Pandor tha: “Mund ta imagjinoj se nëse mbi 170 gazetarë do të vriteshin në një konflikt në Afrikë, e gjithë bota dhe media do të fliste për këtë. Kur e bën Izraeli shihet si e pranueshme”.
Afrika e Jugut këtë javë i kërkoi GJND-së që të japë vendim për masa të reja urgjente për shkak të vrasjeve, dëmtimeve dhe shkatërrimeve në shkallë të gjerë që do të shkaktonte sulmi i Izraelit i planifikuar ndaj qytetit Rafah.