Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se Ankaraja dëshiron vazhdimin e marrëveshjes së drithërave të Detit të Zi, e cila do të skadojë javën e ardhshme, raporton Anadolu.
“Dëshira jonë është zgjatja e marrëveshjes së drithërave”, tha Akar në një ngjarje të organizuar në provincën qendrore Konya.
Akar njoftoi se zv.ministrat e Mbrojtjes të Turqisë, Rusisë, Ukrainës, si dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara (OKB) dje u takuan në Istanbul për të diskutuar marrëveshjen. Ai shtoi se bisedimet vazhduan edhe gjatë ditës së sotme.
Shefi i mbrojtjes turke gjithashtu njoftoi se deri më tani mbi 30 milionë tonë drithëra u transportuan për ata në nevojë në bazë të marrëveshjes, e cila do të skadojë më 18 maj.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, Turqia, OKB-ja, Rusia dhe Ukraina nënshkruan marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga tre portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndaluan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në muajin shkurt të vitit 2022.
Për mbikëqyrjen e dërgesave në Istanbul u krijua një qendër e përbashkët koordinuese me zyrtarë nga të tre vendet dhe të OKB-së.