Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër tetëmbëdhjetë personave, për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit, për subvencionet e Ministrisë së Bujqësisë në komunën e Istogut.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, njëmbëdhjetë të pandehur janë persona zyrtar dhe ndaj tyre është ngritur aktakuza për vepra penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit”, dhe “Mashtrimi në detyrë”.
Ndërsa shtatë persona të tjerët janë fermerë ndaj të cilëve është ngritur aktakuza për vepra penale “Mashtrim me subvencione”.
“Vlera e përfituar nga vepra penale marrje e ryshfetit sipas aktakuzës është rreth shtatëmbëdhjetë (17.000) euro, kurse dëmi i shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës është rreth njëqindmijë (100.000) euro. Prokuroria në aktakuzë ka rekomanduar konfiskimin e një banesa dhe rreth 20.000€ para të gatshme, shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit, të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit e lartcekur kanë përmbushur elementet e veprave penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila ju vihet në barrë.