Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj dy serbëve R.P. dhe D.O. “për pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
“Prokuroria Speciale njofton ekziston dyshimi i bazuar mirë se të lartcekurit në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kanë marrë pjesë aktive në grupin përkatësisht turmën e personave me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në komunat veriore të vendit”, ka njoftuar Prokuroria Speciale. “Me këto veprime të pandehurit R.P dhe D.O. akuzohen për veprën penale ‘’Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi’, nga neni 404 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë.
KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për dy nga pjesëmarrësit në sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj të vitit 2023.
Në këtë sulm ku u përdorën mjetet shpërthyese kundër trupave të KFOR-it, 25 ushtarë kishin mbetur të lënduar.
Sipas këtij misioni, ushtarët kanë pësuar thyerje në pjesë të ndryshme të trupit dhe kanë marrë djegie nga shpërthimi i mjeteve ndezëse.