RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Akuzat për administrim të drejtësisë/ Sot seanca me deklaratat përmbyllëse

akuzat-per-administrim-te-drejtesise/-sot-seanca-me-deklaratat-permbyllese

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sot nisin deklaratat përmbyllëse në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Seanca do të nisë në orën 09:30, ndërsa deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të zhvillohen gjatë tri ditëve, më 10, 11 dhe 14 shtator. Sipas urdhrit të gjykatës, seancat mund të zgjasin deri në orën 17:15.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të ketë tri orë në dispozicion për paraqitjen e deklaratave përmbyllëse, ndërsa ekipet e Mbrojtjes do të kenë nga 45 minuta deri në dy orë për argumentet e tyre përmbyllëse.

Sipas aktakuzës së konfirmuar, ndërmjet 12 prillit dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi dyshohet se u ka dhënë Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e ZPS-së, si dhe udhëzime për mënyrën se si pretendohet se duhej të ndikohej në dëshmitë e tyre.

Aktakuza pretendon gjithashtu se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara përkatësisht me Smakajn, Fazliun dhe Kilajn, si dhe persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, ndërsa një grup tjetër lidhej me Kuçin.

Sipas Prokurorisë, këto veprime kishin për qëllim ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve të saj, në kontekstin e gjykimit për krime lufte ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Të akuzuarit i kanë kundërshtuar akuzat ndaj tyre dhe kanë deklaruar se janë të pafajshëm.

Pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse, çështja do të kalojë në fazën e vendimmarrjes, ku gjykatësi do të vlerësojë provat dhe argumentet e paraqitura nga palët.

Related posts

Suella Braverman pas tragjedisë në Kanalin Britanik: Do të zgjerojmë rrugët e ligjshme të emigrantëve

admin

Sulmohen fizikisht tre policë në Suharekë

Muhamet Ramadani

Sekuestrohen 3 tonë kokainë në Kolumbi me vlerë tregu mbi 113 milionë dollarë

admin