Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar Luan Haradinajn, në 27-vjetorin e rënies së tij.
Përmes një postimi, Kryeministri thotë se ishte data 6 maj 1997, ditë e martë kur në grupin që po printe Luani në zonën kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor, ku Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën
Tutje ai tha se Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së
Postimi i plotë:
Deri atë ditë, gjatë katër viteve të fundit të jetës së tij, Luan Haradinaj e kishte kaluar shumë herë kufirin jugosllav të vendosur dhunshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Atë ditë, ai po i printe grupit të luftëtarëve që po hynin nga Shqipëria në Kosovë, nga fshati Vlahne e Hasit në drejtim të Kuzhinit. Data ishte 6 maj 1997, ditë e martë.
Në grupin që po i printe Luani, ishte vëllai i tij, Ramushi, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Abedin Rexha, Ali Ahmeti, Emrush Xhemajli, Rafet Rama, Gani Rama e Selim Krasniqi. Kur iu afruan zonës kufitare në Qafëmullar, ata u ndeshën me ushtrinë jugosllave, në një terren të zhveshur dhe në një reliev të egër malor. Luani mbeti i vrarë në vend, kurse Rafeti, Fehmiu dhe Ramushi u plagosën.
Nga ajo kohë do të duheshin edhe gjashtë muaj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të shfaqej publikisht, por Luani me vëllezër dhe shokë kishte vite që punonin për atë ditë. Me aktivitetet dhe ndërlidhjet mes grupeve, me aksionet e armatosura, me furnizimet me logjistikë dhe me shembullin e angazhimit të tij me përkushtim e trimëri, Luani i Gllogjanit, ishte kthyer në luan të UÇK-së. Sot u bënë 27 vite nga dita e rënies së Luanit, në një kohë kur ai ishte vetëm 23 vjeçar.
The post Albin Kurti kujton heroizmin e Luan Haradinajt: 6 maj 1997, ishte ditë e martë… first appeared on Radio Televizioni Iliria.