RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Aleatët e Gjirit po shfaqin “pakënaqësi” në rritje ndaj SHBA-së për luftën e zgjatur me Iranin

aleatet-e-gjirit-po-shfaqin-“pakenaqesi”-ne-rritje-ndaj-shba-se-per-luften-e-zgjatur-me-iranin

Pakënaqësia ndaj SHBA-së po rritet mes aleatëve të saj në Gjirin Persik, për shkak të shqetësimeve se presidenti Donald Trump nuk ka arritur të sigurojë një përfundim diplomatik të luftës së zgjatur me Iranin, transmeton Anadolu.

“Trump e nisi këtë luftë dhe ne po paguajmë çmimin”, tha për Washington Post një zyrtar i Gjirit në kushte anonimiteti, duke theksuar se zemërimi ndaj SHBA-së ishte në nivelin më të lartë që nga sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në muajin shkurt.

Pas muajsh konflikti dhe sulmesh të vazhdueshme me raketa dhe dronë nga Irani dhe grupet e tij aleate, gazeta duke cituar zyrtarë arab dhe perëndimor raportoi se Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini janë bërë gjithnjë e më kritike ndaj administratës së presidentit Trump.

Sipas raportit, disa shtete të Gjirit kanë filluar të vënë në pikëpyetje përfitimet e vazhdimit të pritjes së bazave të mëdha ushtarake amerikane në territorin e tyre.

Megjithatë, një diplomat perëndimor në rajon paralajmëroi se këto zhvillime nuk përbënin një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin ndaj SHBA-së, duke shtuar se forcat amerikane nuk ishin të mirëpritura “me entuziazëm” as përpara luftës me Iranin.

“Ishte më shumë diçka që ishte një e keqe e domosdoshme. Tani, domosdoshmëria e saj po vihet në pikëpyetje”, tha diplomati.

Shqetësimi vjen teksa Trump ka kërcënuar vazhdimisht me veprime të mëtejshme kundër Iranit, përpara se të tërhiqej nga këto kërcënime, duke përmendur përparimin në bisedimet diplomatike. Ndërkohë, Washingtoni dhe Teherani ende nuk kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund konfliktit.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e hodhi poshtë këtë vlerësim, duke theksuar se Trump “ka marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë partnerët tanë të Gjirit” dhe se Washingtoni ka qëndruar në kontakt të rregullt me aleatët e tij rajonal që nga fillimi i konfliktit.

Shtetet e Gjirit kanë mbajtur qëndrime të ndryshme ndaj konfliktit, ku disa prej tyre fillimisht e shihnin mundësinë e një fitoreje të shpejtë amerikane ndaj Iranit si potencialisht të dobishme. Megjithatë, sipas zyrtarëve, shqetësimet u rritën pasi lufta vazhdoi pa një zgjidhje të qartë.

Pavarësisht tensioneve në rritje, shtetet e Gjirit mbeten të varura nga Washingtoni për mbështetje në fushën e sigurisë, përfshirë pajisje ushtarake, municione dhe informacione të inteligjencës.

Irani dhe Omani gjithashtu kanë negociuar gjatë tre muajve të fundit për krijimin e rrugëve të sigurta të transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit. Teherani ka deklaruar se rivendosja e plotë e sigurisë dhe normalizimi i transportit tregtar varen nga përfundimi i veprimeve ushtarake amerikane.

Related posts

Sfidat e Australisë, pasi ua ndaloi të rinjve rrjetet sociale

Muhamet Ramadani

Aktivistët e Jerusalemit mobilizohen kundër kolonëve që sulmojnë Xhaminë Al-Aksa – VIDEO

admin

Si po ndikojnë ndryshimet klimatike në përmbytjet globale? A do të përkeqësot situata me rritjen e temperaturave globale

admin