Algjeria tha të dielën se ka paraqitur një projekt-rezolutë që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës në mes të një ofensive vdekjeprurëse izraelite në enklavën palestineze, njoftoi agjencia e lajmeve Anadolu.
Televizioni shtetëror tha se drafti do të vihet për votim nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së të martën.
Algjeria është një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Drafti algjerian kundërshtohet nga SHBA, të cilat kanë të drejtën e vetos në këshill.
Delegatja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, tha të dielën se projekt-rezoluta algjeriane “nuk do të miratohet”, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni mund të përdorë të drejtën e vetos për të hedhur poshtë draftin.
Sipas burimeve diplomatike amerikane që folën për Anadolu, drafti algjerian bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për qëllime humanitare bazuar në urdhrin e përkohshëm të muajit të kaluar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila e detyron Izraelin të marrë masa për të parandaluar aktet e gjenocidit në territor. /mesazhi