Ambasada Amerikane në Prishtinë ka dalë me paralajmërim lidhur me demonstratat e paralajmruara nga disa organizata më 16 shtator, kur pritet të shpallet aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Sipas njoftimit të ambasadës, meqë për 16 shtator nga disa organizata janë paralajmëruar demonstrata, ka paralajmëruar se mund të ketë turma të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë turma të mëdha, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të rënda të trafikut. Këshillohet të kufizoni udhëtimin në zonën e menjëhershme të banesës suaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës dhe shkollave nëse rruga juaj kalon nëpër zona të prekura, pasi mund të mos jeni në gjendje ta përfundoni udhëtimin në kohë”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane.
Tutje, në reagim bëhet e ditur se personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangë udhëtimet e panevojshme dhe të mos dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator.
“Personeli i qeverisë amerikane është këshilluar të shmangin të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos dërgojnë fëmijët në shkollë më 16 shtator për shkak të mundësisë së ndërprerjes së trafikut. Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur dhe shërbime konsullore të kufizuara do të ofrohen sipas nevojës”, thuhet tutje në paralajmërimin e Ambasadës Amerikane.

