Një shpërthim i fuqishëm ndodhi të dielën në qendër të Stambollit.
Si pasojë e këtij shpërthimi humbën jetën gjashtë persona dhe u lënduan 81 të tjerë.
Nga autoritetet në Turqi sulmi tashmë është cilësuar si akt terrorist, derisa e dyshuar në kuadër të këtij shpërthimi është një grua.
Por nga Ambasada e Kosovës në Ankara, është bërë e ditur se në bazë të informatave të siguruara nga autoritetet relevante, në mesin e viktimave dhe të lënduarve nuk gjendet asnjë shtetas i Kosovës, shkruan lajmi.net.
Po ashtu u tha se për ata të cilët aktualisht ndodhen në Stamboll, kërkohet që të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin këshillat e autoriteteve lokale të sigurisë.
“Luten shtetasit tanë të cilët gjenden në Stamboll që në rast nevoje të kontaktojnë në numrin emergjent të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Stamboll”,thuhet tutje në njoftim.
Në lidhje me këtë shpërthim ku vdiqën gjashtë persona dhe u lënduan 81 të tjerë është deklaruar edhe nënpresidenti turk, Fuat Oktay.
“Kemi 81 të plagosur. Dy prej tyre në gjendje më të rëndë. Besojmë se është një akt terrorist që ndodhi nga një sulmues që besohet se është grua, e cila shpërtheu dhe bombën”, deklaroi Oktay.
“Ngjarja po hetohet dhe po bëhen vlerësimet e nevojshme. Hetimet në vendngjarje vijojnë me shpejtësi. Do të arrijmë në fund shumë shpejtë. Kushdo që qëndron pas do të mbajë përgjegjësi. Do t’i ndjekim ata që qëndrojnë pas këtij sulmi edhe nëse ata janë në anën tjetër të botës, e jo vetëm brenda kufijve të Turqisë”,tha ai, transmeton lajmi.net.
Kurse ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag tha se tetë prokurorë dhe dy zv/kryeprokurorë janë caktuar për të hetuar sulmin.
Ministri turk i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se e dyshuara për sulmin e së dielës në Stamboll ishte ulur në stol për 40 minuta, kur pas kësaj ndodhi shpërthimi.
Shpërthimi ndodhi të dielën pasdite në rrugën Istiklal afër sheshit Taksim të Stambollit.
Bozdag deklaroi se nuk dihet identiteti i gruas së dyshuar për sulmin, por se të dhënat për atë janë duke u ekzaminuar.
“Të gjitha të dhënat janë duke u hetuar për të gjetur autorët dhe të gjitha agjencitë janë në kërkim të tyre”, u shpreh ai.
“Konsiderohet si një akt terrorist. Se për cilën organizatë terroriste bëhet fjalë, do të përcaktohet nga hulumtimi”, ka deklaruar zyrtari turk.
Tutje ai tha se ekzistojnë dy mundësi për sulmin që “ose çanta ka një mekanizëm dhe ka shpërthyer vetë, ose dikush e ka shpërthyer nga larg”./