RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ambasadori i ri amerikan erdhi, por Berisha mbetet sërish “në autobuz”!

ambasadori-i-ri-amerikan-erdhi,-por-berisha-mbetet-serish-“ne-autobuz”!

Mungesa e ftesës, konfirmim i non-gratës politike nga Uashingtoni

Eric Wendt ka mbërritur në Tiranë si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara dhe më 2 tetor Ambasada Amerikane pritet të zhvillojë pritjen zyrtare për prezantimin e tij.

Në ceremoni do të jenë drejtues të institucioneve, ministra, deputetë, ambasadorë të vendeve të tjera, gazetarë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës publike. Sali Berisha e ka pranuar sot se nuk ka marrë ftesë.

Por mungesa e ftesës nuk duket aspak si një harresë protokollare. Sidomos kur në një ceremoni të tillë do të mblidhet pothuajse e gjithë elita politike dhe institucionale e vendit, bashkë me trupin diplomatik dhe mediat.

Në këtë panoramë, mungesa e kryetarit zyrtar të partisë më të madhe opozitare nuk është pikërisht një detaj që mund të humbasë mes zarfeve.

Ironia bëhet edhe më e madhe kur kujtojmë se vetëm pak ditë më parë Berisha sapo ishte kthyer nga një vizitë disaditore në SHBA. Na u servirën takime me militantë të PD-së, kontakte me disa senatorë e kongresmenë, fotografi dhe deklarata për një rikthim të marrëdhënieve me qarqet amerikane.

Gjithçka u paketua si dëshmi se kapitulli i “non grata”-s ishte kapërcyer dhe se Berisha po rikthehej në skenën amerikane. Madje, nga mënyra se si u paraqit vizita, dukej sikur Uashingtoni kishte hapur dyert dhe Berisha po hynte sërish në sallonet e tij politike.

Por mesa duket, dikush “harroi” t’ia tregonte këto ambasadës amerikane në Tiranë. Pra pas gjithë atij triumfalizmi amerikan, Berisha mbetet sërish “në autobuz”.

Në këtë pikë, ai po bëhet qesharak duke këmbëngulur të mohojë një fakt që nuk mund të fshihet pas asnjë fotografie: në SHBA nuk është rikthyer politikisht.

Atje mund të hyjë në SHBA si qytetar privat, të ndjekë nga distanca një tubim të Trumpit, të takojë militantë republikanë apo edhe ndonjë senator e kongresmen, por kjo nuk e bën më pak të qartë se dyert e politikës amerikane nuk po hapen për të.

“Non grata” mund të mos jetë më ndalim udhëtimi, por stigma politike mbetet. Koha e tij politike duket se ka skaduar, ndërsa edhe koha biologjike po bën të vetën.

Dhe më e dhimbshmja është se pas këtij iluzioni politik ai vazhdon të tërheqë zvarrë mbi gjysmë milioni njerëz, të cilët, të verbuar nga figura e tij ose të lënë pa një alternativë bindëse, vazhdojnë t’i shkojnë pas.

Kështu, çdo fotografi bëhet “rikthim”, çdo takim privat shpallet “mbështetje amerikane” dhe çdo derë e mbyllur shpjegohet si një keqkuptim. Derisa vjen një fakt i thjeshtë, brutal dhe pa nevojë për propagandë: ambasada amerikane mbledh elitën politike e diplomatike të Shqipërisë dhe Berisha nuk merr ftesë.

Më shumë se çdo deklaratë nga Uashingtoni, ndoshta ky është realiteti që ai nuk dëshiron ta pranojë. tesheshi

Related posts

Reporterët pa Kufij dënojnë vendimin e Izraelit për të mbyllur Al Jazeera

admin

Shtetet e pasura përballen me një krizë të madhe shpenzimesh! Ja kush është qeveria më “dorëlëshuar”

admin

IDF: Kapacitetet ushtarake të Iranit janë shkatërruar në masë të madhe! E ardhmja e regjimit, e pasigurt

admin