RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Analfabetë por ekselentë

analfabete-por-ekselente

Testin PISA e morëm si një flakaresh syve. Por, ekziston edhe një “test” që i paraprin PISA-s, ai i vëmendjes sonë. Mos vallë sa më shumë të mbretërojë injoranca e dorëzimi në një shoqëri, aq më të shkurtër e ka vëmendjen ajo? Mos vallë një shoqëri ku njerëzit nuk përfundojnë dot frazat e veta, është e dominuar nga paaftësia për mendim e për komunikim? Paaftësia për ta folur e shkruar mirë e me logjikë gjuhën tonë tregon se kombi e shoqëria janë në prag të kolapsit. “Kush s´di të flasë, s´di të mendojë dhe s´di të rrojë.”, thotë protagonisti i një filmi të famshëm të regjisorit italian Nanni Morettit.

Shkruan: Arbër ZAIMI, Tiranë

Vit për vit, shpesh edhe disa herë në vit, politikanët tanë flasin nëpër media e rrjete sociale për ekselencë në arsim. Akordohen bursa në universitete të famshme të botës, bëhen foto me fëmijë që shpallen të talentuar ose me rezultate të shkëlqyera. E tillë është bota mendjemadhe e komunikimit, secili protagonist sillet si ai alpinisti, që ka qejf të postojë selfie vetëm nga majat e maleve ku shëtit, duke ia lënë të paqartë publikut e ndoshta edhe vetes se nuk mbërrihet në majë pa ecur rrëzave, shpinave e qafave, e pa to nuk do të kishte majë hiç.

Diskutimi publik mbi arsimin është rrëmbyer pra, nga njëra anë, nga epshi për ekselencë. Nga ana tjetër, kemi rezultatet e testit PISA, që tregojnë se fëmijëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut e në vise të tjera të Ballkanit, por edhe në diasporë (psh. në Zvicër ku regjistrohet edhe gjuha e familjes së nxënësit që testohet), në më shumë se 80 për qind të rasteve u mungon aftësia për të lexuar a kuptuar një frazë të shkruar, u mungon aftësia për përllogaritje të thjeshta e kanë mangësi në logjikë elementare.

Paralel me trendin kulturor të krenimit kombëtar me arritjet individuale të ndonjë shqiptari diku në botë, kemi edhe kundërpeshën, turpërimin masiv për atë çka paraqet shoqëria jonë. Shumëkush e ka vënë re se në kohë represionesh e pushtimesh shoqëritë që nuk janë në gjendje të prodhojnë angazhim masiv çlirimtar, mbeten “të varura” prej heroizmit të individëve të shkëlqyer. Tek ne po vihet re se edhe në kohë paqeje po ndodh një fenomen i ngjashëm. Të paaftë për të zhvilluar një sistem arsimor e kulturor të gjerë, shqiptarët po mbeten gjithnjë e më shumë spektatorë në një talent-show, ku duartrokasin kur shansi bie në skenë rrallë e tek ndonjë “gjeni”. Duket sikur ka korrelacion, sa më shumë përhapet injoranca në masë, aq më shumë masa flet me adhurim e krenim për gjenitë dhe talentet e suksesshëm që “na bëjnë mirë të ndihemi shqiptarë” (të cilët, duhet nënvizuar, nuk kanë ndonjë faj për katandisjen tonë).

Testin PISA e morëm si një flakaresh syve. Por, ekziston edhe një “test” që i paraprin PISA-s, ai i vëmendjes sonë. Mos vallë sa më shumë të mbretërojë injoranca e dorëzimi në një shoqëri, aq më të shkurtër e ka vëmendjen ajo? Mos vallë një shoqëri ku njerëzit nuk përfundojnë dot frazat e veta, është e dominuar nga paaftësia për mendim e për komunikim? Paaftësia për ta folur e shkruar mirë e me logjikë gjuhën tonë tregon se kombi e shoqëria janë në prag të kolapsit. “Kush s´di të flasë, s´di të mendojë dhe s´di të rrojë.”, thotë protagonisti i një filmi të famshëm të regjisorit italian Nanni Morettit, fjalë që duken si sentencë gjyqësore për shoqërinë tonë. Mos vallë një shoqëri që në testin PISA rezulton si masivisht e paaftë për zgjidhje problemesh, edhe jashtë testit është dorëzuar, ka hequr dorë prej kërkimit të zgjidhjes?

Megjithatë, na mbetet të shpresojmë se ata që qeverisin, klasa politike dhe pasurore shqiptare, janë jo nga masa e madhe e të dorëzuarve, pra prej atij 20-përqindëshit të cilët marrin pak vesh, paçka se rezultatet e tyre në ekonomi, diplomaci, zhvillim shoqëror e mbrojtje janë jo fort elitare. E dimë me siguri se mendimi i tyre për veten është shumë vlerësues, sepse i shohim se si rendin pas diplomave e titujve prestigjiozë. Drejtuesit tanë janë masterë, doktorë shkencash, ndryshe psh. nga vendet skandinave, që kanë ndër sistemet shkollore më të mirat në botë, e ku në secilën qeveri ka gjithnjë dy ose tre ministra me shkollë të mesme. Tek ta elitë modeste dhe përparim i sistemit e i shoqërisë. Te ne gjithë kjo elitë që ka prodhuar kaq pak dije, por kaq shumë pushtet për veten. Pushtetarët tanë e shohin veten me siguri si ekselentë, prandaj edhe përkushtohen shumë për bursimin e nxënësve ekselentë. Nga ana tjetër, me po aq siguri mund të themi se nuk e shohin veten si pjesë të atij 80-përqindëshit të shqiptarëve që sistemi ynë arsimor i ka dënuar me vdekje kulturore. Prej tyre presin veç vota, mbështetje, par as krahë pune jo. Le të shpresojmë pra se po na lexon ndonjë nga këta të 20-përqindëshit, meqenëse 80 për qind nuk na lexon, por edhe po na lexoi, nuk na kupton.

Në shekullin e tetëmbëdhjetë në Europë kishte një tension gjeopolitik. Perandoritë të cilat i kishin shtrirë territoret e tyre në kolonitë e paana të kontinenteve të tjera, kishin marrë një hov zhvillimor e teknologjik. Ndërkaq perandoritë që u vonuan dhe nuk qenë në gjendje të krijojnë hapësirë koloniale, mbetën mbrapa. Ekonomia e tyre vuante, sepse kishte shumë më pak akses në burime, krahasuar me simotrat që thithnin gjithçka prej kolonive. Kur vuan ekonomia, vuan dhe ushtria, natyrisht edhe kultura e, më gjerë, shoqëria. Perandoritë pa koloni filluan të etiketoheshin si “të prapambetura”. Ma merr mendja se në rrethana të tilla pikëpyetja kyçe që shtrohej në kancelaritë perandorake është se si të kapet hapi i konkurrencës. Lufta nuk do të ishte alternativa e parë për t´u shqyrtuar, sepse perandoritë koloniale kishin kapacitete më të mëdha ushtarake, por edhe terrene e popuj të shumtë nën kontrollin e tyre, që mund të hynin strategjikisht në punë. Mundësia për prodhim e tregti gjithashtu i favorizonte perandoritë koloniale. E vetmja mundësi për perandoritë pa koloni ishte të zhvilloheshin potencialet njerëzore. Ky ishte imperativi kategorik që i shtynte politikat reformatore të carëve Pjetri i Madh e Katerina e Madhe, në perandorinë ruse, por po i njëjti imperativ ishte motor edhe i kaizerinës Maria Theresa të Austro-Hungarisë, si dhe i të birit, perandorit Jozefi II. Në Francë, ku monarkët nuk e kuptuan këtë imperativ dhe nuk çuan përpara reforma, ndodhi revolucioni. Reformat u vonuan, por mandej qenë më radikale.

Nëse i krahasojmë prirjet reformiste në Rusi me ato në Austro-Hungari, do të dallojmë menjëherë një gjë: reformizmi rus ishte elitist, ndërsa ai austrohungarez ishte mbarëshoqëror. Pjetri i Madh e ftoi Diderotin në Shën Pjetërburg për të ndërtuar një universitet model me profesorët elitë nga e gjithë Europa. Bashkë me pasardhësen e tij, caricën Katerinë, ata u përqendruan te krijimi i elitës administrative perandorake, duke kthyer në detyrim ligjor arsimin e fëmijëve të aristokratëve. Por, të dy ata perandorë nuk e dobësuan dot sistemin feudal, bujkrobërinë. Masat ruse mbetën të paarsimuara edhe për një shekull e gjysmë, ndërsa më pas Rusia ndoqi rrugën e Francës. Ndërsa në të njëjtën kohë, Maria Theresa e sidomos kaizer Jozefi II, vendosën të veprojnë ndryshe. Së pari duke ndërtuar një sistem arsimi të detyrueshëm për të gjithë, së dyti duke rrëzuar me ligj feudalizmin dhe robërinë, e së treti duke e vendosur fenë nën kontrollin e shtetit. Ideologjia, që më pas u quajt jozefinizëm, pati jo pak kundërshtarë në qarqet konservatore të atëbotshme. Mund të thuhet se me imponimin e një ideologjie të caktuar, austro-hungarezët asokohe u treguan më autoritarë, ndërsa rusët më demokratikë. Por, ndërhyrja autoritare e asaj kohe qëndron në themelin e një zhvillimi që reflektohet ende edhe sot, si i dallueshëm prej fqinjëve. Një shekull e gjysmë më pas, pra në fillim të shekullit XX, po të shohësh demografinë e analfabetizmit në Europën Lindore, sheh se ai është i fortë në pjesën e kontrolluar nga perandoritë Osmane e Ruse, ndërsa thuajse inekzistent te pjesa austro-hungareze. Shkaqet qëndrojnë pikërisht te ato reforma jozefiniste e te mungesa e tyre në perandoritë e tjera.

Sot, dy shekuj e gjysmë më vonë, ne shohim ende efekte të atij dallimi. Vendet ku arsimi masiv dhe përhapja e gjerë e kulturës dhe e përndritjes (iluminizmit, që fillimisht u imponua me autoritarizëm) kanë një traditë të fortë, janë vende ku demokracia reziston më gjatë. Ndërsa vendet e tjera, ku kjo traditë mungon e ku kultura i përket vetëm “elitave”, janë vende që shpejt bien në dorë të autokratëve e të regjimeve.

Nëse elitat tona do ta donin me të vërtetë kombin dhe shtetin e tyre, ato tashmë do të kishin nisur të punonin seriozisht për të zgjidhur problemin e arsimit. Ky është problem sa kombëtar, aq edhe shoqëror. Natyrisht, reformat në arsim nuk mund të zgjasin sa një mandat politik, e ne nuk kemi mbret apo perandor që të garantojë vazhdimin e pashqetësuar të politikave afatgjata. Për më keq, si shqiptarë jemi të ndarë pikë e pesë në shtete të ndryshme me ligje e institucione të ndryshme. Situata kërkon dalje tej egoizmave e krahinarizmave, kërkon një bashkëpunim të pozitave e opozitave, një bashkëpunim ndërkufitar, sepse arsimi e kultura zhvillohen në gjuhë e jo në territor, andaj është e kotë të jesh territorial aty. Por, a do të ndodhë një mbledhje e tillë e kokave të mëdha, për të vendosur për fatin e masave? Mirëpo, po t´i kundrosh ato koka të forta burrash të fortë, mjerisht të vjen të thuash JO.

Shqiptarët e kanë të domosdoshme të investojnë në rritjen e cilësisë arsimore e kulturore për shumë arsye, e prej tyre nuk është më e parëndësishmja ajo ekonomike. Nëse do të vazhdohet kështu, atëherë bashkëkombasit tanë të rinj do të jenë shtresë e ulët e punëtorëve europianë, thuajse lumpenë. E në radhët e tyre vazhdimisht do të rekrutojë krahë të rinj mafia. Jemi komb jo fort i madh, në territore jo fort të mëdha, pa ndonjë pasuri natyrore. Nuk do të zhvillohemi dot nëse nuk i zhvillojmë aftësitë tona njerëzore, produktivitetin e dijen tonë.

Njëri prej vendeve që ka arritur rezultate impresionuese në ngritjen dhe zhvillimin e arsimit brenda një kohe të shkurtër është Singapori. Ka edhe vende të tjera, si Estonia, megjithatë Estonia nuk mund të jetë model i mirë për ne, sepse ajo nuk e nisi zhvillimin prej një faze kaq të ulët ose kaq të shkatërruar, si kjo që po e përjeton sistemi ynë arsimor. Singapori brenda një jete njerëzore, pra brenda tre dekadash, doli prej botës së tretë e u bë prej vendeve më të zhvilluara në botë. Faktor kryesor ka qenë edhe hovi arsimor në atë vend, që nuk ka as territor e as që shquhet për burime. Reforma arsimore në Singapor bazohet tek autoriteti i mësuesit dhe i shkollës – mësuesi atje është zyrtar shtetëror me grada, pak a shumë si diplomatët, ushtarakët apo forcat e rendit. Ky profesion i rregulluar nuk ka licencë të përjetshme atje, por vazhdimisht testohet që të shihet se a po qëndron në hap me kohën ai që pretendon t´u transmetojë dije nxënësve. Për ta bërë më mirë këtë, shteti ofron institute të përgatitjes dhe trajnimit të vazhdueshëm të mësuesve, të cilët janë të obliguar të ndjekin të paktën 100 orë trajnime në vit. Me siguri, sistemi singaporian është i kushtueshëm, por i leverdisshëm. Me siguri është edhe i kritikueshëm nga ata që dëshirojnë demokratizim të dijes. Por, me ruajtjen e autoritetit të shtetit, të shkollës e të dijes, Singapori krijon kushtet për një shoqëri demokratike. Ndërsa në vendet ku shteti, shkolla e dija përfundojnë me autoritet të ndërkëmbur, në shoqëri mbretëron autoriteti i të fortit, qoftë ai politikan, biznesmen, kriminel ose ekselent. /revistashenja

Related posts

Vazhdojnë protestat kundër së djathtës ekstreme në Gjermani

admin

Izraeli bombardon xhaminë më të vjetër dhe më të madhe të Gazës

rezart morina

Erdoğan, kryeministrit suedez: Ankaraja beson se Stokholmi do të përmbushë detyrimet e tij

admin6