RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Analistët: Asociacioni të shtyhet, duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale

analistet:-asociacioni-te-shtyhet,-duhet-te-jete-pjese-e-marreveshjes-finale

Derisa SHBA-ja dhe BE- ja po kërkojnë me ngulm që Kosova ta themelojë sa më parë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, analistët politikë në vend thonë se kjo marrëveshje për Asociacionin duhet të shtyhet dhe ajo duhet të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes finale me Serbinë.

Krijimi i Asociacionit me Shumicë Serbe është shndërruar në sfidë për institucionet e Kosovës. Ndërkohë që presioni ndërkombëtar karshi Kosovës, për këtë çështje është rritur shumë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka organizuar pikërisht sot një diskutim për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Analistët politikë në vend mendojë që Asociacioni duhet të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se Marrëveshja për Asociacionin duhet të shtyhet. Sipas tij, kjo marrëveshje duhet të bëhet vetëm atëherë kur Serbia dakordohet që ta njohë shtetin e Kosovës.

“Kur çështja e shtetësisë nuk kontestohet, atëherë ka mundësi për të debatuar për çështjet e brendshme për sa i përket rregullimit të komunave serbe ose të një niveli të autonomisë jo territoriale ose rishikim të kornizës aktuale ligjore, institucionale për pakicat” , tha ai.

Visoka thotë se Qeveria e Kosovës mund ta themelojë edhe një komision ndërkombëtar, i cili do të bënte rishikimin e kornizës aktuale ligjore dhe institucionale për pakicat në Kosovë.

“Vetëm atëherë kur del një komision i pavarur i ekspertëve, me një përmbledhje, me një raport ku dëshmon se korniza aktuale e Kosovës nuk është e mjaftueshme, vetëm atëherë mund të bisedohet për çështjen e asociacionit. Mirëpo, në rrethanat aktuale, kur Kosova aludon se ka kornizën më moderne në Evropë për mbrojtjen e pakicave, nuk mendoj se është produktive të shikohet mundësi që të shtohet edhe një mekanizëm i ri siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila ka krijuar paranojë, frikë por edhe ndarje të mëtejme etnike në Kosovë”, tha ai.

Më 23 dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim në lidhje me asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në vendim thuhej që parimet e përgjithshme nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetueses, duke e bazuar këtë në nenin 3 të saj dhe me të drejtat e komuniteteve në Kushtetutën e Kosovës.

Profesori universitar, Besfort Rrecaj, thotë se themelimi i Asociacionit edhe mund të jetë kompromisi i Kosovës, por e tëra varet në kompetencat që do i caktohen.

“Mendoj që Asociacioni edhe mund të jetë një prej atyre kompromiseve të cilat Kosova i bënë me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale, por do të varen pastaj finesat dhe mënyra sesi do të përcaktohen kompetencat e këtij asociacioni”, tha ai.

Ndërkohë Arbër Fetahu, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromis me Planin e Ahtisarit. Madje sipas tij, marrëveshja për Asociacionin nuk duhet të trajtohet si e veçantë, por ajo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme me Serbinë.

“Sidoqoftë, besoj që nuk është mirë që të lidhet me parakushte marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova duhet të shtyjë që të diskutohet edhe marrëveshja e Asociacionit si marrëveshje e përgjithshme, ku përfshihet edhe Asociacioni. Do të thotë kjo duhet të përfshihet në marrëveshjen finale dhe jo të dakordohet tash në fillim dhe pastaj të shkohet në negociata, pasi që keqpërdorimi nga ana e Serbisë është shumë i lartë dhe kjo mund ta dëmtojë procesin”, tha ai.

Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe parashikohet që të përfshijë dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Themelimi i Asociacionit është parashikuar të krijohet që në vitin 2013 me Marrëveshjen e Brukselit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Related posts

Një tjetër komplot grusht-shteti u prish në Gjermani

admin

Qeveria e Kosovës i përgjigjet reagimeve pas vizitës në Maqedoninë e Veriut

rezart morina

Kryeshefi i pezulluar i KEK-ut deklaron pasuri 1.7 milion euro, pagë vjetore 42 mijë euro

rezart morina