Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, njoftoi se Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër për ndalimin e tubimit në festivalin “Mirëdita, dobar dan”.
“Ministria e Brendshme lëshoi urdhër për ndërprerjen e tubimit publik ‘Mirëdita, dobar dan’, për shkak se mund të rrezikojë sigurinë e njerëzve dhe pronës, por edhe rrezikon të prishë rendin publik dhe paqen në shkallë të gjerë”, tha Daçiq, por edhe Ministria e Brendshme.
Daçiq tha se nuk do të lejohen tubime në këtë zonë.
“Organizatorët janë informuar për këtë urdhër”, tha Daçiq.
Hapja e festivalit është paraparë të ndodhte në orën 18:30 të 27 qershorit në sheshin Dorqol dhe disa orë para hapjes, një grup i madh i djathtistëve u mblodhën në hyrje të zonës, duke valëvitur flamuj serbë.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, ky grup protestuesish janë dëgjuar duke kënduar këngë nacionaliste dhe kanë fyer qytetarët e Kosovës.
Në sheshin Dorqol, ku mbahet festivali dhe i cili është i mbyllur për trafik, janë parë një numër i vogël i policëve.
Gazetarja e Radios Evropa e Lirë nuk është lejuar të hyjë në hapësirën ku festivali pritet të nisë sonte nga protestuesit që po qëndrojnë në hyrje të kësaj zone.
Ndërkaq, përfaqësuesit e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, që janë organizatorë të festivalit, pritet që të dalin me një njoftim shumë shpejt.