Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj Ferid Aganit dhe Gani Shabanit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për rastin e njohur si “Stenta 1”.Aktgjykimi i Apelit është marrë më 12 qershor 2023, ku thuhet se është refuzuar si e pabazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).Në arsyetim të aktgjykimit, gjykata e shkallës së dytë, ka vlerësuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës se parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e të cilave u referohet në ankesë prokurori, ngase dispozitivi i aktgjykimit është i kuptueshëm, në të nuk ka kundërthënie me vetveten e as me arsyet e tij, është i qartë dhe konkret.Gjithashtu Apeli ka vlerësuar se pretendimet e prokurorit se aktgjykimi i ankimuar nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare lidhur me veprën penale, janë të pa qëndrueshme ngase gjykata e shkallës së parë drejtë ka vërtetuar se prokuroria ka dështuar të dëshmoj se cilat kanë qenë detyrat, autorizimet dhe përgjegjësit e të akuzuarit Ferid Aganit në cilësinë e ministrit të Shëndetësisë dhe të akuzuarit Gani Shabanit, në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.Tutje, në aktgjykim thuhet se gjykata e shkallës së parë me të drejtë ka konstatuar se prokuroria nuk ka përcaktuar e as dëshmuar para gjykatës se si apo në çfarë mënyre të akuzuarit kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, cilat dispozita apo akte ligjore nuk i kanë zbatuar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës se parë ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta objektive, dhe të ligjshme, i aprovon edhe gjykata e shkallës së dytë.