Arabia Saudite ftoi kreun e regjimit sirian, Bashar al-Assad, të marrë pjesë në samitin e Ligës Arabe për herë të parë që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, transmeton Anadolu.
Presidenca siriane tha se al-Assad pranoi një ftesë nga mbreti saudit Salman bin Abdulaziz për të marrë pjesë në samitin në qytetin e Jeddah më 19 maj.
Ftesa erdhi vetëm disa ditë pasi të dielën Siria u pranua sërish në organin pan-arab pas 12 vitesh pezullim. Pezullimi erdhi si pasojë e shtypjes brutale të protestave pro-demokracike nga ana e regjimit.
Mbrëmë, Arabia Saudite njoftoi rifillimin e punës së misionit të saj diplomatik në Siri.
Regjimi sirian muajt e fundit ka filluar të shkëmbejë vizita dhe kontakte zyrtare me disa vende arabe.