Mbi 2 milionë persona, kanë hyrë në Kosovë, nga 1 korriku e deri më 3 gusht.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në këtë periudhë përmes pikave kufitare kanë kaluar mbi 1 milionë e 800 mijë persona, e përmes aeroportit kanë ardhur mbi 200 mijë persona.
Në mesin e tyre janë edhe bashkatdhetarët, të cilët zgjedhin Kosovën, për pushime të verës.
Ardhja e tyre në këta muaj të verës, sipas ekonomistëve pritet që ta ringjallë ekonominë e vendit, pavarësisht rritjes së çmimeve.
“Ardhja e tyre për bizneset e Kosovës është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse rritet qarkullimi rritet shitja e bizneseve, për rrjedhojë rritet edhe punësimi, pra roli i tyre është i pazëvendësueshëm për ekonominë tonë, kur dihet se ne kemi një ekonomi, që është e bazuar në importe të mallrave dhe është diaspora ajo, që i bie para”, tha ekonomisti Erton Bega.
Por sipas përfaqësuesve të shoqatës së gastronomisë, rritja e çmimeve në Kosovë e shtete të tjera, ka bërë që konsumi të ulet.
“Nuk është e njëjta kërkesë si ka qenë më herët sepse kemi ulje të nivelit të konsumit sepse kemi rritje të inflacionit, ku është pasqyruar me rritje të çmimeve, po vërehet se diaspora nuk e ka një fuqi blerëse siç e ka të kaluarën”, tha Arian Vranica nga Shoqata e Gastronomëve.
Megjithatë nga kjo shoqatë thonë se presin që kjo të ndryshojë në ditët në vazhdim, për shkak edhe të festivaleve, që pritet të mbahen në kryeqytet e në qytete të tjera.
“Natyrisht se do ndikojë organizimi i eventeve dhe festivaleve, siç është ‘Sunny Hill” dhe “Manifesta” që ka filluar edhe vazhdon edhe 4 muaj që do mbahet dhe presim që do të ndikojë në këndelljen dhe vazhdimin më të gjatë të kërkesës së konsumit, në shfrytëzimin e gastronomisë”, tha Vranica.
Të rëndësishme për ekonominë e vendit, diasporën e konsiderojnë edhe qytetarët.
“Janë shumë të rëndësishëm po na ndihmojnë edhe na kanë ndihmu”, ka thënë një qytetar.
“Po diaspora mos me kanë vdesin kejt, Kosova de, si të vijnë këta ngjallet vendi…Rritja e çmimeve këtu është në hava, marrun shqiptarët a mos me kanë diaspora këtu s’di çka”, tha një tjetër.
Sipas, Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 548 milionë euro remitenca kanë dërguar bashkatdhetarë në Kosovë, në 6 mujorin e parë të këtij viti.