RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Armë të ndjeshme amerikane janë vjedhur në Siri dhe Irak”

“arme-te-ndjeshme-amerikane-jane-vjedhur-ne-siri-dhe-irak”

Sipas medias amerikane, hetimet ushtarake amerikane kanë gjetur se “armë dhe pajisje të ndjeshme” janë vjedhur nga bazat e ShBA-së në Irak dhe Siri, transmeton Anadolu.

“Pentagoni mund të mos jetë në dijeni të shkallës së vjedhjeve”, raportoi të shtunën agjencia e lajmeve në internet “The Intercept”.

“Hetimet ushtarake që nisën në fillim të këtij viti zbuluan se ‘armë dhe pajisje të shumta të ndjeshme’, duke përfshirë sisteme të lansimit të raketave të dirigjuara dhe dronë, janë vjedhur në Irak”, shtoi agjencia.

Në fillim të këtij viti, The Intercept raportoi se pajisje ushtarake me vlerë qindra mijëra dollarë u morën nga trupat amerikane në Irak dhe Siri midis viteve 2020 dhe 2022.

“Në shkurt, hetuesit ushtarakë u njoftuan se 13 dronë komercialë me vlerë rreth 162.500 dollarë u vodhën nga një strukturë amerikane në Erbil të Irakut diku vitin e kaluar”, thuhet më tej. “Agjentët nuk identifikuan asnjë të dyshuar dhe asnjë pistë nuk përmendet në dosje”, shtohet gjithashtu.

Pas një hetimi të veçantë u zbulua se “armë dhe pajisje të shumta të ndjeshme”, duke përfshirë shënjestra dhe njësi lansuese të raketave Javelin, u vodhën në ose gjatë rrugës për në Bazën Operative Forward Union III në Bagdad të Irakut, raportoi The Intercept.

Hetuesit përjashtuan mundësinë e përfshirjes së brendshme, duke vënë në dukje në dosjen hetimore se “asnjë personel amerikan nuk ishte i përfshirë”, ndërsa të dyshuar të mundshëm konsiderohen vendasit.

“Organizatat kriminale irakiane dhe grupet e milicisë kishin në shënjestër autokolonat dhe kontejnerët me armë dhe pajisje”, raportoi The Intercept, duke cituar dokumentin. “Më tej, ka pasur probleme sistematike me kontejnerët amerikanë që janë grabitur nga këto grupe dhe shtetas vendas jashtë Unionit III për shkak të mungesës së sigurisë”, theksohet më tej.

The Intercept tha se ky nuk ishte incidenti i parë i vjedhjes ose humbjes.

“Hetimi i vitit 2017 nga inspektori i përgjithshëm i Pentagonit zbuloi se armë prej 20 milionë dollarësh në Kuvajt dhe Irak ishin ‘subjekt i humbjes ose vjedhjes’”, thuhet në deklaratë.

Në mars, The Intercept raportoi për “të paktën katër vjedhje të rëndësishme dhe humbje të armëve dhe pajisjeve amerikane në Irak dhe Siri nga viti 2020 deri në vitin 2022, duke përfshirë granata 40 mm me eksploziv të lartë, plumba antiblindë, mjete dhe pajisje të specializuara artilerie në terren, sisteme të armëve dhe pajisje të paspecifikuara”.

“Dy nga incidentet ndodhën në bazat në Siri dhe tre në Irak”, thuhet më tej, duke shtuar se autoritetet amerikane nuk iu përgjigjën asnjë pyetjeje në lidhje me vjedhjet e armëve në Irak dhe Siri.

Po ashtu edhe auditimi i vitit 2020 zbuloi se Task-Forca e Përbashkët e Operacioneve Speciale, Operacioni Inherent Resolve, njësia kryesore që punon me aleatët sirianë të Amerikës, nuk ka llogaritur në mënyrën e duhur pajisjet me vlerë 715,8 milionë dollarë të blera për zëvendësuesit vendas, shtoi agjencia.

Related posts

Lavrov: Do të mbështesim Afrikën për të “përfunduar procesin e dekolonizimit”

admin

Liderët e Turqisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë takohen para samitit të Pragës

admin

MCC jep detaje për projektin 200 milionësh që do të nënshkruhet sonte nga Kurti e Osmani

admin