Policia italiane ka arrestuar bosin më të madh të drogës në Itali, Matteo Messina Denaro, raportoi Reuters të hënën.
Denaro u arrestua në kryeqytetin sicilian Palermo, ndërsa është i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për pjesëmarrje në vrasjen e prokurorëve antimafia, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Siç raporton Reuters, ai është i dënuar edhe për dhjetëra sulme me bombë në Firence, Milano dhe Romë, si dhe për vrasjen e 10 personave.
Autoritetet italiane thanë se ndonëse ishte në zhdukje, Denaro vazhdoi të komandonte grupin kriminal nga distanca.
Për rastin ka reaguar edhe gazetari i njohur italian që raporton për çështje të grupeve kriminale, Roberto Saviano.
“Sundimtari i fundit i brezit të Cosa Nostras nuk ishte më në gjendje të fshihej. U arrestua. Është e qartë se ai ishte në vendin e tij, si të gjithë bosët, ai ishte pikërisht në vendin ku të gjithë e dinin se ishte”, shkroi Saviano në Twitter të hënën.