Një kadet i Policisë së Kosovës është arrestuar në Lipjan, pasi që i njëjti dyshohet se ka dhunuar një vajzë.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Arbër Beka, zëdhënës i Inspektoratit të Policisë së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar nga Policia lidhur me këtë rast. Me të pranuar njoftimin kanë shkuar në Stacionin Policor Lipjan DRP-Prishtinë, dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore për të cilat është njoftuar Prokurori i Shtetit (prokurori kujdestar). Pas prezantimit të të gjeturave të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale “Dhunimi” nga neni 277 të KPRK-së”, ka thënë ai për Telegrafin.
Beka tha se si pjesë e procedurës është njoftuar AKSP dhe PK.
Ndryshe, Policia kishte konfirmuar se një vajzë ishte zhdukur dhe se rastin e kishte lajmëruar babai i saj.
“Fsh. Konjuh, Lipjan 30.06.2024-21:15. Një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj”, kishte njoftuar policia.