Linja ajrore gjermane Lufthansa dhe sindikata e pilotëve (VC) kanë thënë të martën se kanë arritur marrëveshje për pagat, duke shmangur kështu grevën e dytë që ishte planifikuar më vonë gjatë kësaj jave, shkruan Reuters.
Marrëveshja mes palëve vjen pasi javën e kaluar greva e pilotëve detyroi kompanitë të anulojnë qindra fluturime.
VC-ja nuk dha detaje mbi marrëveshjen që kishin arritur me Lufthansan, por thanë shkurt se ishte e mjaftueshme që greva e dytë të mos fillonte të mërkurën.
“Ne jemi të kënaqur që rezultati u arrit në tryezën e negociatave dhe se mund të shmanget përçarja e mëtejshme për klientët, punonjësit dhe kompanitë”, ka thënë Marcel Groels, përgjegjës për politikën e negociatave kolektive të sindikatës.
VC-ja kishte kërkuar një rritje retroaktive të pagave prej 5.5% nga 1 korriku si dhe një rritje pagash prej 8.2% më 2023 në përgjigje të inflacionit. /koha