Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave ilegale që ende qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përfaqësuesi i Lartë i për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka bërë të ditur në rrjete sociale për marrëveshjen e arritur midis kryenegociatorit kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq me lehtësimin e BE-së.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi Borrell.
Tutje Borrell njoftoi edhe për detajet e marrëveshjes.
“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me akronimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve. Unë do t’i ftoj palët në ditët në vijim për të diskutuar hapat e ardhshëm. E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak dhe palët për punën e palodhur”, shtoi ai.
Kryenegociatorët Bislimi dhe Lajçak u takuan sot në Bruksel në një takim që ka zgjatur më shumë se gjashtë orë bisedime, vetëm disa orë para se të hynte në fuqi faza e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targa, ajo e gjobitjes me nga 150 euro për të gjithë ata që ende vozisin automjete me targa që nuk janë me regjistrim legal “RKS”.
Kosova me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) e shtyu për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në Bruksel më 21 nëntor, ku nuk u arrit ndonjë marrëveshje.
Vendimin e ka përshëndetur presidentja kosovare Vjosa Osmani, duke falënderuar ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dhe Qeverinë e SHBA-së për angazhimin aktiv në arritjen e kësaj marrëveshjeje në Bruksel.
“Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse”, tha Osmani në rrjetet sociale.