Asambleja Kombëtare e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, e ka miratuar të martën vonë të ashtuquajturën Deklaratë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe të ardhmërisë së përbashkët të popullit serb, e cila doli nga një “Kuvend gjithëserb” muajin e kaluar në Beograd.
Deklarata, e miratuar më 8 qershor në Beograd në një takim të përbashkët të Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska, përbëhet nga 49 pika dhe e përmend edhe Kosovën.
Aty thuhet se populli serb “përbën një entitet të vetëm” dhe se, ndonëse “përgjatë historisë, populli serb ka jetuar në shumë shtete me emra të ndryshëm, ai ka të drejtë të ruajë traditën e tij të pasur”.
Miratimi i kësaj Deklarate është dënuar nga anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq dhe Zheljko Komshiq, si dhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.
Në atë kohë, Ambasada amerikane tha se pikat e dokumentit të Deklaratës së miratuar në “Kuvendin gjithëserb” në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe shtetin e pavarur të Bosnje e Hercegovinës “nuk përfaqësojnë mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit, siç autorët pretendojnë, por janë një sulm i planifikuar ndaj kësaj marrëveshjeje dhe ndaj institucioneve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës”.
Më 10 qershor, Ambasada amerikane në Sarajevë e cilësoi Deklaratën si të rrezikshme, dhe me plot gabime.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, në fjalimin e tij para deputetëve tha se “aspiratat e serbëve janë të paplotësuara”.
“Ne kemi të drejtën e një veprimi unik dhe ai nuk është i drejtuar kundër askujt”, tha Dodik.
Në të njëjtën kohë, Ramiz Salkiq, anëtar i Asamblesë së Republikës Sërpska, tha se “deklarata nuk ofron stabilitet apo marrëdhënie të mira fqinjësore, por vazhdon ta themelojë këtë entitet si territor ekskluziv i serbëve”.
Ndërkohë, në takimin e 8 qershorit në Beograd ishte insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija” – si referencë për shtetin e Kosovës.
Çfarë thuhet për Kosovën?
Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.
Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.
Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /rel