Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re kanë bërë thirrje për një përpjekje ndërkombëtare për një “armëpushim të qëndrueshëm” në konfliktin në Rripin e Gazës dhe kanë ngritur alarmin për pakësimin e hapësirave të sigurta për civilët në enklavën palestineze mes sulmeve të vazhdueshme izraelite, transmeton Anadolu.
Kryeministrat e tre vendeve shprehën shqetësim të thellë për shkallën e krizës humanitare në Gaza dhe për rreziqet e vazhdueshme për të gjithë palestinezët.
“Pauza e fundit në armiqësitë lejoi lirimin e më shumë se 100 pengjeve dhe mbështeti një rritje të qasjes humanitare për civilët e prekur”, thanë liderët në një deklaratë.
“Ne duam të rifillojë kjo pauzë dhe të mbështeten përpjekjet urgjente ndërkombëtare drejt një armëpushimi të qëndrueshëm. Kjo nuk mund të jetë e njëanshme”, shtuan ata.
Ata kërkuan rritjen dhe ruajtjen e qasjes së sigurt dhe të papenguar humanitare.
“Çmimi i mposhtjes së Hamasit nuk mund të jetë vuajtja e vazhdueshme e të gjithë civilëve palestinezë”, theksuan ata.
Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka, ka vendosur një rrethim dhe ka ndërmarrë një ofensivë tokësore në hakmarrje të një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Të paktën 18.412 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 50.100 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.