Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Antonio Guterres emëroi diplomatin austriak Volker Turk si Komisionerin e Lartë të ardhshëm për të Drejtat e Njeriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të enjten propozimin e Guterres-it për të emëruar diplomatin veteran si shef të ardhshëm të OKB-së për të drejtat e njeriut.
Turk do të pasojë shefen e deritanishme nga Kili, Michelle Bachelet, e cila ushtroi këtë detyrë për një mandat katërvjeçar në organin e OKB-së për të drejtat e njeriut me bazë në Gjenevë.
Bachelet përfundoi mandatin e saj katërvjeçar më 31 gusht dhe nuk kërkoi një mandat të ri pasi u publikua një raport i minutës së fundit mbi shkeljet e të drejtave të njeriut kundër ujgurëve etnikë dhe pakicave të tjera muslimane në rajonin Xinjiang të Kinës.
Turk do të marrë mbi supe një angazhim sfidues përballë presionit si nga aktivistët e të drejtave të njeriut ashtu edhe nga Kina mbi raportin ujgur. Kina mohon bindshëm akuzat për shkelje të të drejtave të njeriut në Xinjiang.
Diplomati austriak ka punuar për OKB-në për më shumë se 30 vjet dhe ka punuar veçanërisht ngushtë me Sekretarin e Përgjithshëm Guterres kur ai ishte Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR).
Ai punoi për UNHCR-në në Malajzi, Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë, Kongo dhe Kuvajt dhe në selinë e OKB-së në Gjenevë.