Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës u ka bërë thirrje punonjësve të këtij sektori që të kërkojnë kushte më të mira pune, duke shtuar se nëpërmjet liberalizimit të vizave, u është “hequr laku nga fyti”.
Ai ka deklaruar të hënën në SOT të KTV-së se me heqjen e vizave, janë hapur tregjet dhe punonjësit që s’janë të kënaqur me pagat, të kërkojnë mundësi të tjera pune.
“Janë hapur tregjet, s’kemi obligim ndaj askujt dhe tani urojmë që kudo qoftë që punonjësit e sektorit privat e gjejnë veten më mirë, të shkojnë dhe na është hequr një censurë që na e kanë hequr të tjerët. Pjesa më e ndjeshme që do të bllokohemi shumë shpejtë është pjesa e ndërtimtarisë…S’ka veprimtari që s’është e prekur, por ajo (ndërtimtaria) është ku do të vërehet mungesa më e madhe dhe me ide të shkurta nuk shkon”, ka thënë Azemi.
Sipas tij, nëse pronarët e kompanive private i rrisin pagat, këtë e bëjnë “jo se janë të sinqertë, por që iu është imponuar nga situata”.
“Me liberalizimin na është hequr laku, do të dalim do të shohim, nëse është diçka në rregull, e nëse jo, do të kthehemi. Thërras pronarët e kompanive të ofrohemi dhe të ndalim atë që është mund ta ndalim. Nëse një rritje të pagave po e bën pronari, po e bën jo se është i sinqertë, por që i është imponuar situata…Pjesa dërrmuese e kompanive s’kanë të drejtë të thonë eja të bëjmë diçka. Ka kompani që punëtorët i kanë trajtuar si leckë”, ka theksuar kreu i Sindikatës.
Sipas Azemit, punonjësit e sektorit privat janë diskriminuar në forma të ndryshme nga pronarë kompanish që kanë fitime të mëdha.
“S’po kërkojmë paga sa e merr një person në Gjermani, por kemi qenë të diskriminuar në çdo aspekt. Kur kemi kërkuar paga e kushte që na lejon ligji, kanë thënë ‘nëse doni me punu punoni, nëse jo shkoni jashtë’. Jemi për bashkëpunim, por edhe për ne është e dhimbshme kur një punëtor s’mund ta furnizojë familjen e vet me gjëra sociale. Shumë pronarë të kompanive kanë alamet kapital, por megjithatë, nuk e dinë çka është pasuria e pafundme e të mos i kemi gjërat elementare. Në sektorin privat përgjegjësia i bie pronarëve të kompanie, por shteti s’ka bërë asgjë”, është shprehur Azemi.
Ai ka shtuar në SOT se mungesa e punëtorëve në Kosovë do të jetë problem kombëtar, e sipas tij, në të ardhmen do të rrezikohen institucionet vitale të shtetit.
“Ky është një problem kombëtar. Frikësohem që organet më vitale të shtetit ,nëse nuk ndërmerret diçka, do të kemi paralizim të shtetit sepse s’do të ketë njerëz që do të mirëmbajnë spitalin, t’i ruajnë objektet më vitale të shtetit. Sot kemi punëtor që është i moshës së shtyrë 74-vjecarë dhe ka zënë vend pune në një kompani sigurimi që ka përgjegjësi për objekte shumë me rëndësi”, ka potencuar kreu i Sindikatës.
Azemi është shprehur se ka informacione që edhe studentë nga Qendra e Studentëve të Universitetit së Prishtinës kanë bërë kërkesa për t’i larguar jashtë vendit.