Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka përgëzuar Policinë e Shtetit për realizimin me sukses të disa operacioneve policore në luftën ndaj piraterisë, krimit ekonomik dhe kibernetik.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla thekson se Policia e Shtetit duhet të ketë në fokus luftën ndaj krimit ekonomik, kibernetik, por dhe piraterisë.
“Organizimi i veprimtarive ekonomike të paligjshme, të paliçensuara, të cilat shmangin detyrimet fiskale ndaj shtetit dhe vjedhin të drejtat e autorit nga operatorë të tjerë të ligjshëm duhet të vijojë të jetë në fokusin e strukturave kundër krimit ekonomik në të gjithë territorin”, shkruan Balla.
“Rruga e pakthyeshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon një koordinim edhe më të mirë mes Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese në luftën kundër kundër krimeve ekonomike, evazionit, kontrabandës, krimeve kibernetike, piraterisë etj. Përgëzime Drejtorisë së Policisë Tiranë për fillimin e mbarë të këtij viti në goditjen e aktiviteteve kriminale të kësaj natyre”, përfundon Balla.