Banka Evropiane e Investimeve (EIB) ka publikuar modele fiktive të kartëmonedhave euro, përmes të cilave ka promovuar disa nga projektet dhe investimet kryesore që po mbështeten në Evropë.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, EIB ka bërë të qartë se nuk është institucioni që dizajnon apo shtyp kartëmonedhat euro, duke ia lënë këtë rol Bankës Qendrore Evropiane.
Megjithatë, në modelet e saj fiktive, EIB ka vendosur disa prej projekteve që i konsideron ndër investimet kryesore për zhvillimin e Evropës.
Një prej tyre është hekurudha e shpejtësisë së lartë Lisbonë-Porto në Portugali, për të cilën është paraparë një paketë financimi prej 3 miliardë eurosh, ndërsa deri tani janë nënshkruar 875 milionë euro.
Në kartëmonedha është paraqitur edhe energjia e erës në det të hapur në Poloni, ku EIB po mbështet investime prej 2 miliardë eurosh. Sipas bankës, këto investime synojnë që energjia e erës të kontribuojë në furnizimin e afro një të dhjetës së energjisë elektrike të Polonisë deri në vitin 2030.
Një tjetër projekt i përfshirë është TechEU, përmes të cilit Grupi EIB planifikon të mobilizojë 340 miliardë euro deri në vitin 2028 për teknologjinë, energjinë e pastër, hapësirën, banesat dhe bioteknologjinë.
EIB ka veçuar gjithashtu mbështetjen për banesa të përballueshme në Bashkimin Evropian. Investimet në këtë sektor arritën në 5.2 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa për vitin 2026 parashihet që kjo shumë të rritet në rreth 6 miliardë euro.
Banka Evropiane e Investimeve ka theksuar se këto janë vetëm katër nga pikat kryesore të raportit të saj strategjik të mesit të mandatit.
Në fund të postimit, EIB ka bërë të ditur se inteligjenca artificiale është përdorur në disa pjesë të propozimeve për modelet fiktive të euros.

