Kreu i Komisionit të Bashkimit Afrikan ka dënuar tentativën për grusht shteti në Republikën Demokratike të Kongos, duke thënë se çdo përdorim i forcës për të ndryshuar rendin kushtetues në çdo shtet afrikan është “i papranueshëm”, transmeton Anadolu.
Ushtria e RD të Kongos pretendoi të dielën se pengoi një përpjekje për grusht shteti në kryeqytetin Kinshasa, duke arrestuar disa individë të përfshirë në komplot.
Zëdhënësi i ushtrisë, gjenerali Sylvain Ekenge, tha se forcat e sigurisë “neutralizuan” autorët e tentativës për grusht shteti dhe disa u arrestuan.
Ushtria tha se zbuloi pasaporta kanadeze dhe amerikane te disa nga sulmuesit, duke ngritur pikëpyetje rreth përfshirjes së mundshme të anëtarëve të diasporës në përpjekjen për grusht shteti.
Moussa Faki Mahamat, shefi i Komisionit të Bashkimit Afrikan, tha në një deklaratë të dielën vonë se ndoqi me “shqetësim të madh” ngjarjet që ndodhën në Kinshasa dhe se mirëpret kontrollin e situatës të njoftuar nga forcat e mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.