RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Bashkimi Evropian kërcënon Kosovën

bashkimi-evropian-kercenon-kosoven

Me “pasoja serioze” është kërcënuar Kosova po që se nuk përmbush kërkesa të ndërkombëtarëve për çështjen e veriut. Këtë e ka paralajmëruar shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, të enjten pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, e kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Në një postim në Twitter, pas takimit, Borrelli ka publikuar tri kërkesat që i ka quajtur “të qarta” për Kosovën dhe Serbinë. Ai ka kërkuar zgjedhje të reja në veri menjëherë, sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në to dhe nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona”, ka shkruar ai.

Ky është kërcënimi i parë direkt nga BE-ja për Kosovën. Ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës sanksionuan Kosovën për insistimin që kryetarët e rinj të komunave veriore të ushtrojnë detyrat nga objektet komunale, pavarësisht protestave të dhunshme nga serbët lokalë.

SHBA-ja e përjashtoi Kosovën nga ushtrimi ndërkombëtar ushtarak “Europe Defender” dhe paralajmëroi edhe masa të tjera.

Që nga e premtja e shkuar, në veri ka pasur protesta të serbëve lokalë që kanë kundërshtuar kryetarët e rinj, për të ushtruar detyrat nga objektet komunale. Kryetarët e rinj – shqiptarë – fituan në zgjedhjet e prillit, e të cilat zgjedhje u bojkotuan nga serbët.

Në protesta është ushtruar dhunë nga protestuesit. 30 ushtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime.

Serbia ka ngritur gatishmërinë luftarake dhe ka afruar ushtrinë në kufi me Kosovën.

Related posts

Hapet Qendra e Strehimit të Përkohshëm për migrantët e parregullt në Qafë Botë

rezart morina

Policia realizon bastisje në Banjskë dhe Lozhistë

rezart morina

Familjarët e viktimave dhe veteranëve të luftës kërkojnë rritje të pensioneve

rezart morina