RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bastisja e Al-Aksas, Çavuşoğlu telefonon homologun nga Emiratet

bastisja-e-al-aksas,-cavusoglu-telefonon-homologun-nga-emiratet

Ministrat theksuan nevojën që Xhamia al-Aksa të mbrohet plotësisht dhe të ndalohen shkeljet e rënda dhe provokuese që ndodhën atje.

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed Al Nahyan, për bastisjen në Xhaminë Al-Aksa.

Sipas informacioneve nga Ministria e Jashtme e Turqisë, Çavuşoğlu ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij të Emirateve në lidhje me bastisjen në Xhaminë Al-Aksa dhe zhvillimet e fundit në Afganistan.

Gjatë bisedës, ministrat përsëritën dënimin e tyre për bastisjen e djeshme të një ministri izraelit në Xhaminë Al-Aksa.

Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së statusit dhe shenjtërisë së objekteve fetare në Kuds dhe rritjen e koordinimit kundër akteve të tilla të papranueshme, ministrat theksuan nevojën që Xhamia al-Aksa të mbrohet plotësisht dhe të ndalohen shkeljet e rënda dhe provokuese që ndodhën atje.

Gjatë bisedës, ministrat diskutuan për çështjet në agjendën e dy vendeve, ndërsa u bënë thirrje autoriteteve izraelite që të marrin përgjegjësitë e tyre mbi përshkallëzimin dhe destabilizimin në rajon.

Çavuşoğlu dhe Bin Zayed gjithashtu diskutuan mbi shqetësimet e përbashkëta në lidhje me ndalesën aktuale të vendosur nga talebanët për qasjen e grave në arsim dhe përjashtimin e tyre nga shoqëria civile kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe organizatat humanitare.

Duke përsëritur pritshmërinë e Turqisë se vendimi në fjalë do të anulohet, Çavuşoğlu theksoi rëndësinë e përpjekjeve të koordinuara me homologun e tij, veçanërisht me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Bin Zayed deklaroi se vendimi në fjalë dhe ndalimet e mëparshme për qasjen e vajzave në arsimin e mesëm shkelin të drejtat themelore të njeriut.

Duke thënë se Islami u kushton rëndësi të madhe grave, u jep atyre një pozitë të privilegjuar dhe mbron të drejtat e tyre, Bin Zayed theksoi nevojën për të siguruar të drejtat e grave dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe të barabartë të grave dhe vajzave në të gjitha fushat e jetës.

Related posts

Medvedev: Herët apo vonë, aleancat perëndimore do të pushojnë së ekzistuari

admin

Vihet nën kontroll zjarri në Marmaris të Turqisë

admin

Serbia dhe Republika Srpska mbajnë mbledhje të përbashkët të qeverive me 4 gusht

rezart morina