Basketbollisti i gjeneratave të reja të Turqisë, Batin Tuna, është zyrtarizuar dje si lojtar i ri i kampionit të Kosovës, Trepça. Tuna, i lindur në vitin 2003 ka përfaqësuar Turqinë U-16 ndërsa ka qenë pjesë e ekipit të njohur nga Bursa, Tofash.
Ai është 197 centimetra i gjatë, ndërsa luan në pozitën e organizatorit. Në stinorin e kaluar 2023/24 Tuna ka luajtur 15 ndeshje për Tofashin në Superligën turke, ndërsa ka pasur mesatarisht 4.3 minuta për lojë, duke shënuar 0.7 pikë, 0.2 asistime dhe 0.3 kërcime për ndeshje.
Për më tepër, Trepça ka bërë të ditur se ai do të paraqitet si lojtar vendor në Kosovë, që do të shtojë kontigjentin e vendorëve te mitrovicasit. Këta të fundit do të garojnë në kualifikime për Basketball Champions League, ndërsa në duelin e parë do të ndeshen me Keravnosin qipriot.
“Batin i bashkohet Trepçës nga ekipi turk Tofash.
Në Tofash u zhvillua si lojtar duke kaluar në gjitha gjeneratat zinxhir për të arritur deri tek ekipi senior aty ku zhvilloi ndeshje edhe në BCL. Me Trepçën Batin do të paraqitet si lojtar vendor.” ka shkruar KB Trepça në njoftim.
Lojtari në fjalë, derisa huazohej në Ligë të Dytë të Turqisë duke luajtur një pjesë të stinorit të kaluar te Akran Gemlik, ka pasur 11 pikë për ndeshje, 2.1 asistime dhe 6 kërcime për ndeshje si mesatare.
The post Batin Tuna – lojtar i ri i Trepçës first appeared on Radio Televizioni Iliria.