RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE arrin një marrëveshje për ndalimin e produkteve që shkaktojnë shpyllëzimin

be-arrin-nje-marreveshje-per-ndalimin-e-produkteve-qe-shkaktojne-shpyllezimin

Shumë produkte të cilat kontribuojnë te shpyllëzimet nuk do të jenë më të importueshme dhe nuk do të shiten në tregun e Bashkimit Europian, sipas një marrëveshjeje të përkohshme të arritur nga ligjvënësit e BE-së të martën në mëngjes.

Marrëveshja e arritur nga përfaqësuesit e Këshillit dhe Parlamentit përfshin vajin e palmës, sojën, bagëtitë, kafenë, kakaon, lëndët drusore dhe gomat, si dhe nënproduktet që vijnë prej tyre: mishi i viçit, mobiljet, çokollatat, letra e shtypur dhe produktet që kanë në bazë vajin e palmës.

Kjo nëkupton se kompanitë tani do të duhet të mbajnë dhe të lëshojnë një deklaratë “due diligence”, ku do të theksohet se këto këto mallra që po tregtohen në BE nuk kanë sjellë shpyllëzim dhe degradim të pyjeve askund në botë pas datës 31 dhjetor 2020.

Sipas OJQ-së WWF, blloku me 27 vende është importuesi i dytë më i madh i produkteve që kanë sjellë shpyllëzim, pas Kinës, dhe është përgjegjës për 16% të shpyllëzimeve që vijnë nga tregtia ndërkombëtare.

“Rregullat e reja synojnë të sigurojnë që kur konsumatorët blejnë këto produkte, ata të mos kontribuojnë në degradimin e mëtejshëm të ekosistemeve pyjore. Mbrojtja e mjedisit në mbarë botën, duke përfshirë pyjet, është një qëllim i përbashkët për të gjitha vendet dhe BE-ja është e gatshme për të marrë përsipër përgjegjësinë e saj”, tha në një deklaratë Marian Jurečka, ministri çek i mjedisit që udhëhoqi negociatat për Këshillin.

Marrëveshja po cilësohet si një fitore e madhe për Parlamentin, i cili arriti të shtonte në listën e produkteve të ndaluara edhe gomat, qymyrin dhe një numër nënproduktesh të vajit të palmës.

Eurodeputetët punuan gjithashtu për të arritur në një përkufizim më të gjerë të degradimit të pyjeve, i cili përfshin shndërrimin e pyjeve parësore ose pyjeve të rigjeneruara në mënyrë natyrale, në pyje plantacionesh ose në tokë të tjera pyjore.

Komisioni Europian ndërkohë ka për detyrë të vlerësojë nëse do të zgjerojë përmasat e këtij legjislacioni, duke përfshirë në të edhe toka të tjera pyjore, si dhe ekosisteme apo produkte të tjera gjatë dy viteve të ardhshme.

Ai gjithashtu do të vlerësojë nëse institucionet financiare të BE-së duhet të përfshihen në këtë legjislacion, duke ndaluar ofrimin e shërbimeve për klientët nëse ekziston rreziku që këto shërbime të çojnë në shpyllëzime.

Legjislacioni tani duhet të miratohet zyrtarisht nga Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian./ Euronews

Related posts

Liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite në BE më 13 tetor

admin

Borrell: Takimet me Kurtin e Vuçiqin në Munih, të pasuksesshme

admin

Harris dhe Walz bëjnë fushatë së bashku, zotohen se do të “lu’ftojnë për të ardhmen”

RTI