RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Borrell: Takimet me Kurtin e Vuçiqin në Munih, të pasuksesshme

borrell:-takimet-me-kurtin-e-vuciqin-ne-munih,-te-pasuksesshme

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, është deklaruar rreth Konferencës së Sigurisë të mbajtur në Munih nga 16 shkurti, ku ka përmendur edhe takimet e ndara me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Duke treguar për çështjet e diskutuara gjatë qëndrimit të tij në këtë konferencë, Borrelli ka thënë se me Kurtin dhe Vuçiqin në takime të ndara ka diskutuar për depërshkallëzimin e tensioneve, por që bisedimet rezultuan “pa sukses fatkeqësisht”, njofton Shërbimi Diplomatik i Bashkimit Evropian.

“Gjatë qëndrimit tim në Munih, kemi diskutuar për çështjet më të ngutshme globale me Antonio Guterres, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Gustavo Petro, Presidentin e Kolumbisë, Wang Yi, Ministrin e Jashtëm të Kinës, Subrahmanyam Shankar, Ministër i Jashtëm i Indisë, Hakan Fidam, Ministër i Jashtëm i Turqisë dhe Chris Van Hollen, senator amerikan. Me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si t’i depërshkallëzojmë tensionet mes dy vendeve, pa sukses fatkeqësisht”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Evropa është në rrezik nga luftërat në pragun e saj dhe nga “era e barutit” në mbarë botën, realitet ky për të cilin, sipas tij, këtë vit ishin të vetëdijshëm të gjithë në konferencë.

“Me dy luftëra në pragun e saj dhe me shumë fuçi të tjera baruti në të gjithë botën, të gjithë ishin të vetëdijshëm se Evropa është në rrezik, siç e thashë dy vjet më parë”, është shprehur Borrelli.

Ai e ka përmendur edhe situatën në Lindjen e Mesme, për të cilën ka thënë se ka diskutuar me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati, Princ Faisal – Ministër i Jashtëm i Arabisë Saudite, Sameh Shoukry, Ministër i Jashtëm i Egjiptit.

“U fokusuam në përpjekjet tona për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza, për të liruar pengjet, për të zbutur katastrofën humanitare në rrip, për të shmangur përhapjen e konfliktit në rajon dhe për të ecur përpara drejt zgjidhjes midis dy shteteve”, ka thënë ai.

Borrelli në këtë konferencë ka paraqitur pikëpamjet e tij mbi agjendën e ardhshme gjeopolitike të BE-së.

Ai ka thënë se nuk duhet lejuar që Rusia të shpërblehet për agresionin e saj në Ukrainë.

“Nëse Putini mbizotëron, kjo do të dërgonte sinjal shumë të rrezikshëm globalisht se vendet e fuqishme mund të ndryshojnë kufijtë në mënyrë të njëanshme. Nëse nuk veprojmë me shpejtësi të mjaftueshme në muajt e ardhshëm, Ukraina rrezikon të humbasë terren. Duhet ta mbështesim Ukrainën më shumë dhe duhet ta bëjmë më shpejt, veçanërisht në lidhje me municionet e artilerisë. Ato duhen tani, jo pas disa muajsh. Aktualisht, çështja nuk është më një mungesë reale e kapacitetit të prodhimit të municioneve; përkundrazi, është mungesa në financim dhe porosi”, ka thënë ai.

Sipas Borrellit, angazhimi më i rëndësishëm i sigurisë që BE-ja mund t’i japë Ukrainës është anëtarësimi në bllok.

Ai e ka vlerësuar se detyrë urgjente përfundimin e luftimeve në Gaza, në mënyrë që të shmanget katastrofa humanitare.

“Në kërkim të një zgjidhjeje politike për të nesërmen, nuk duhet të shikojmë ekskluzivisht Gazën, por të gjitha territoret e pushtuara palestineze. A mundet BE-ja të luajë një rol në sjelljen e paqes në rajon dhe të zbatojë përfundimisht zgjidhjen me dy shtete që ne e mbrojmë për më shumë se 30 vjet? Jam i bindur se mundemi. Nuk është vetëm e mundur, është edhe detyrë dhe në interesin tonë”, ka thënë ai.

Sipas Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, duhet të përforcohen masivisht kapacitetet në siguri dhe mbrojtje.

“Duhet të përgatitemi veçanërisht për një periudhë të zgjatur tensionesh me Rusinë, e cila mund të tundohet të përshkallëzojë provokimet e saj politike dhe ushtarake kundër vendeve të NATO-s në muajt e ardhshëm”, është shprehur ai.

Related posts

Kurti flet për Asociacionin, numëron gjashtë kushte që mund të çojnë deri në formimin e tij

admin

BE dënon shkeljet e të drejtave të njeriut kundër ujgurëve në rajonin Xinjiang të Kinës

admin

Shtohen paralajmërimet për zinë e urisë në Rripin e Gazës, popullsia në rrezik nga mungesa e ushqimit! OKB: Do të përdoret si “armë lufte” nga Izraeli

admin