Bashkimi Evropian dënoi sot raportet për një sulm ajror në një kopsht fëmijësh gjatë luftimeve në Etiopinë veriore ndërsa u bëri thirrje palëve të përfshihen në negociatat e paqes.
“Luftimet rrezikojnë jetën e miliona banorëve tashmë në ankth të madh”, shkroi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në Twitter.
“Një numër i konsiderueshëm civilësh, përfshirë fëmijë, vdiqën gjatë një sulmi ajror në një kopsht fëmijësh në kryeqytetin e provincës etiopiane të shkatërruar nga lufta, Tigray”, sipas raportimeve të medias lokale.
Duke dënuar sulmin, drejtoresha e Agjencisë së OKB-së për Fëmijët, UNICEF, Catherine Russell tha sot në Twitter se gjatë sulmit ajror ishin vrarë shtatë persona.
Luftimet midis ushtrisë kombëtare etiopiane dhe luftëtarëve me Frontin Separatist të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF) u ndezën përsëri këtë javë.
Luftimet filluan në vitin 2020, kur TPLF filloi përpjekjet për t’u shkëputur nga Etiopia, duke nxitur luftime që herë pas here i mbyllën kufijtë e Tigray për transportin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera.
Sipas raportimeve të medias, ushtria etiopiane qëndronte pas sulmit në kryeqytetin e Tigray, Mek’ele. Megjithatë, nuk ka pasur asnjë deklaratë nga ushtria. /atsh